Pretendimet e Sali Berishës për vjedhje dhe mosnjohje të zgjedhjeve të 11 majit, si alibi për të qëndruar në krye të PD-së, pritet të zbehen në ditët në vijim, për t’u shuar në shtator, pasi kryeministri Edi Rama i ka dhënë ‘OK’ AZHT-së për miratimin e lejes për pallate për Jamarbër Malltezin, në zonën e mbrojtur, Drilon. Edhe pse Agjencia e Zhvillimit të Territorit tha disa ditë më parë për Report Tv se zyrtarisht nuk kishte miratuar një leje për kullat e dhëndrit të Berishës në Pogradec, letrat janë kopsitur dhe se miratimi tashmë është një çështje formale në mbledhjet e radhës.

Burime për Prapaskenën thanë se është ngritur një ekip i posaçëm në AZHT vetëm për finalizimin e procedurave për miratimin e lejes për ndërtimin e kompleksit nga Familja Berisha në Drilon. Bëhet fjalë për kompaninë Kontakt, me pronar në letra Fatmir Bektashin, prestanome i dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi. Firma e ndërtimit Kontakt është një guackë e kompanisë Magnet Imo shpk në pronësi të Malltezit, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas burimeve, dokumentacioni teknik, që do të jetë pjesë e dosjes së AZHT-së, është përgatitur nga studio ligjore e Argita Berishës, bashkëshortja e Jamarbër Malltezit. Çifti ka caktuar një person të besuar, i cili po koordinon veprimet me grupin e punës në AZHT. Në këtë operacion me natyrë korruptive janë përfshirë për të kopsitur dosjen një liste me institucione publike, si Hipoteka, Bashkia Pogradec, disa agjenci etj.
Ndërkaq, Sali Berisha ka ndërprerë sulmet ndaj kryetares së AZHT-së. Në të njëjtën kohë, Familja Berisha, duke përdorur si maskë Fatmir Bektashin, i pandehur për pastrim parash dhe korrupsion në dy dosje të SPAK-ut, ka nisur shesë apartamente në kompleksin e planifikuar në Drilon, edhe pse zyrtarisht leja e ndërtimit nuk është miratuar.
Blerja e pronës në Drilon
Teksa SPAK vijonte hetimet për aferën me ish Klubin Partizani, Jamarbër Malltezi dhe Argita Berisha i kishin hedhur sytë në zonën e mbrojtur të Drilonit në Pogradec, për të ndërtuar një kompleks pallatesh, duke përdorur si maskë ortakun e Malltezit, Fatmir Bekashti me kompaninë Kontakt shpk, nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash për dosjen e Malltezit me ish Klubin Partizani dhe për dosjen e Erion Veliajt.

Duke përdorur si kamuflim Bektashin, çifti Malltezi ka kopsitur letrat e pronës në zonë të mbrojtur, në Pogradec, përmes presioneve, marrëveshjeve, ndërhyrjeve, falsifikimeve dhe shantazheve ndaj funksionarëve publikë. Prapaskena mëson se pronarët e pretenduar të pronës në Drilon janë kontaktuar nga çifti Malltezi përmes njerëzve të tyre, duke u blerë pronat, ashtu siç operuan në Porto Romano, ku u blenë banorëve të zonës pronat, duke ia shitur më pas Damir Fazlliçit disa herë më shtrenjtë, ndërsa më pas Berisha mblidhte qeverinë duke i rritur vlerën pronës.

Pronarët e zonës ku nuk lejohet ndërtimi, në këmbim të kontratave të shitjes kanë marrë para dhe pasuri të paluajtshme në pronësi të Familjes Berisha. Prapaskena mëson se kontratat janë bërë me vlera simbolike, ku diferenca është paguar cash me para të pista. Nëse SPAK do të nisë një hetim, do të zbulojë me lehtësi një skemë flagrante pastrimi parash, e ngjashme me aferën me ish Klubin Partizani.
Jamarbër Malltezi pronar faktik i kompanisë Kontakt
Format e operimit me ish Klubin Partizani dhe në Drilon, tregon se Jamarbër Malltezi është pronar faktik i kompanisë Kontakt shpk. Se si Malltezi i tërheq përfitimet nga kompanitë e Bektashit e ka treguar dosje e SPAK; Me kontrata të paregjistruara, për shërbime konsulence dhe kontribut patriotik.
Gjithsesi Fatmir Bektashi i Kontakt dhe Jamarbër Malltezi janë të lidhur ligjërisht në ortakëri. Fatmir Bekteshi është pronar me 100 % të aksioneve dhe administrator i kompanisë Kontakt.

Kompania Kontakt me pronar në letra Fatmir Bektashin ka në pronësi bashkimin e kompanive Kontakt shpk & Magnet Imo shpk. Jamarbër Malltezi, nën akuzë nga SPAK bashkë me Bektashin për korrupsion dhe pastrim parash, është pronar me 50 % të aksioneve në kompaninë Kontakt shpk & Magnet Imo shpk.
