Një ditë më parë, kreu i PD-së, Sali Berisha, premtoi se ditën e sotme do të paraqiste fakte tronditëse se si në Elbasan bota e krimit kishte influencuar për votimin e ‘princesësh së burgut’, siç ka filluar ai ta quajë deputeten më të votuar në këtë qark.
Kush e njeh se si funksionon Sali Berisha, mjafton dje ‘premtimi’ se do t’ua tregojë nesër, për ta kuptuar se gjithçka ishte një bllof i kreut të PD-së. Berisha asnjëherë nuk i lë faktet e rënda për nesër.
Bllofi i tij rezultoi i vërtetë, ku sot vijoi me të njëjtën retorikë dhe me të njëjtat pretendime, të tilla si ‘vota u ekzekutua pa u hedhur në kuti’ etj. Përveç kësaj, Berisha vijoi më transmetimin e një videoje, siç ka bërë edhe në të kaluarën, ndërkohë që në të vërtetë asnjë gjë nuk qartësohet nga ato pamje.
“Ja, shiheni këtë vajzën, kriminele elektorale, komisionere në detyrë. Shikoni se çfarë bën, një nga një shkon dhe voton me zgjedhësit. Komisionerja kontrollon çdo votë” – u shpreh Berisha ndërkohë që komentonte pamjet e shfaqura. Nga ana tjetër, dëgjuesi apo shikuesi që e ‘lexonte’ pamjen e transmetuar nga gjuha e Berishës, nuk kuptonte se ku ndodheshin në atë kohë komisionerët e PD-së, ku shfaqej se votuesve po u bëhej presion për kandidaten Mila dhe se ku ishin kriminelët, sepse në pamje u shfaq vetëm komisioneria femër e asaj qendre votimi.
Gjithsesi, Berisha ka treguar se nëse faktet nuk ekzistojnë, aq më keq për faktet, kështu që edhe këto pretendime janë në vazhdën e alibisë së tij për të justifikuar humbjen e 11 Majit./ TEMA