Konflikti në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar pasditen e kësaj të hëne, pasi Irani ka goditur me gjashtë raketa bazën më të madhe amerikane në Lindjen e Mesme.
Sulmi i drejtpërdrejtë vjen pak pasi Irani kërcënoi të niste sulme ndaj ushtrisë amerikane në përgjigje të bombardimit të centraleve bërthamorë gjatë fundjavës.
Shpërthime thuhet se u dëgjuan në Katar menjëherë pasi një alarm ‘kërcënimi i besueshëm’ u lëshua në bazën Al Udeid, e cila strehon mbi 10,000 trupa amerikane, si dhe mbi 100 avionë, bombardues strategjikë dhe anije cisternë.
Për momentin nuk ka informacione për dëmet nga ky sulm.
Katari sakaq ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore dhe baza ajrore është vendosur në gjendje gatishmërie të lartë.
Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi në një postim në mediat sociale, se kjo është pjesë e një sërë masash paraprake që po merren bazuar në zhvillimet në rajon.
Katari është shtëpia e bazës më të madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, bazës ajrore Al Udeid.
Al-Udaid është një bazë masive jashtë kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe është selia e Centcom-it të SHBA-së për të gjitha operacionet e saj ajrore në Lindjen e Mesme, ku personeli ushtarak britanik shërben gjithashtu me rotacion.