Meta shpërthen ndaj Braimllarit: E konvertoi SPAK-u në rilindas

Politikë

Publikuar: 21/06/2025

Meta shpërthen ndaj Braimllarit: E konvertoi SPAK-u në rilindas

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj Endrit Braimllarit dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke i cilësuar zhvillimet e fundit si një shfaqje të pastër të konvertimit politik të personave pa karakter në funksion të mazhorancës qeverisëse.

Në një postim në Facebook, Meta e ka cilësuar Braimllarin si “shembullin më të gjallë të mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në ‘rilindas’ të denjë – gënjeshtarë”.

“Vetëm një ‘rilindas’ mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur”, vijon Meta në reagimin e tij, duke iu referuar lobimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim në SHBA gjatë viteve 2018–2019. Sipas tij, firma për këto lobime i përket pikërisht Endrit Braimllarit, i cili në atë kohë mbante pozita të larta në parti.

“Në atë kohë unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës. Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti ‘gradohet’ nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës”, thekson Meta. Në fund të deklaratës, ai hedh hije dyshimi edhe mbi drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, duke ngritur pyetjen nëse “është ai që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij”.

Reagimi i Metës vjen në një kohë kur SPAK ka rritur hetimet për financimet e dyshimta të partive politike, përfshirë dhe dosjen e lobimeve të LSI-së në SHBA. Ndërkohë, as Braimllari dhe as SPAK nuk kanë reaguar ende ndaj akuzave të fundit të ish-presidentit.