Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa.
Në këtë mënyrë, Apeli i Posaçëm ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë.
Ish-prokurori u dënua nga GJKKO me 2 vite burg për korrupsion në maj të 2022-it. Dënimi iu konvertua me 4 vite shërbim prove, duke çuar në lirimin e Hasës, i cili gjithashtu u përjashtua për 5 vite nga funksionet publike. Pas vendimit të sotëm, Hasa duhet të shlyejë pjesën e mbetur të dënimit në qeli.
Kundër këtij vendimi ai mund të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 ditëve.
Ish-prokurori dyshohet se mori ryshfet nga Elsona Papa, motra e shtetasit Emiljano Mirani, një personi që prokurori kishte nën hetim, duke i pushuar më pas çështjen.
Ai akuzohet se i mori një shumë parash shtetases Elsiona Papa, për t’i pushuar dosjen vëllait të saj Emiljan Mirjanit, pasi akuzohej dhe ishte vënën nën hetim për plagosje. Referuar dosjes së prokurorisë, Papa është fotografuar në zyrën e prokurorit së bashku me Edison Korkutin, i cili u plagos nga vëllai i saj.
Sipas hetimeve ajo ka ndikuar tek Sali Hasa për të pushuar hetimet për vëllain e saj që akuzohej për plagosje me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta.
Gjatë kontrollit të banesës së ish-prokurorit janë sekuestruar 11 milionë Lekë të vjetra dhe 2 mijë Euro. Këta persona u zbuluan në bazë të një tjetër procedimi penal që kishte prokuroria e posaçme për një grup kriminal që dyshohet se merrej më trafikimin e lëndëve narkotike.