Hapen 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit, PD kërkon prova për ‘farsën’, por gjen probleme të vogla! Nesër rinumërohet Tirana

Politikë

Publikuar: 17/06/2025

Hapen 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit, PD kërkon prova për ‘farsën’, por gjen probleme të vogla! Nesër rinumërohet Tirana

Me 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” në Tiranë KQZ nisi ‘sagën’ e rihapjes së kutive të 2323 qendrave të votimit që i përkasin 4 qarqeve të ankimuara nga PD. Numëruesit krahasuan fletët e votimit që janë në kuti me materialet zgjedhore, ndërsa demokratët Blendi Himçi dhe Aurel Bylykbashi, kishin kontestimet e tyre.

Tabelat do t’iu jepen partive dhe do të vijnë me pretendime përfundimtare të hënën kur KAS do zhvillojë mbledhjen përfundimtare të Elbasanit. PD po synon të gjejë provat për manipulimin e procesit zgjedhor të 11 majit, ku aludojnë edhe për tren bullgar.

Duhet bërë edhe korrigjimi i tabelës dhe konstatimi për pavlefshmëri të kësaj kutie. Futet një fletë bosh që ka krijuar trenin bullgar. Kjo kuti të dalë e gjitha e pavlefshme”, tha Himçi

Por, vetë anëtari i PD në KAS, Elvis Çefa i sqaroi Himçit se nuk kemi të bëjmë me rinumërim në Gramsh e Peqin, por vetëm me verifikim dhe në këtë fazë numëruesit shënojnë vetëm parregullsitë që konstatojnë.

Do jetë KAS që do të vendosë në fund, nëse gjetjet e procesit të verifikimit do përbëjnë prova të mjaftueshme për të shpallur të pavlefshëm rezultatin e qarkut të Elbasanit, ku PD pësoi humbje të thellë duke marrë vetëm 4 mandate dhe 10 shkuan për PS.

“Numëruesi nuk e autoritetin me thënë që kjo është votë e parregullt, atë e vlerëson KAS, numëruesi thotë kjo fletë votimi nuk kishte këtë elementë, ishte konstatuar e rregullt, por mungojnë vulat. Ne e vlerësojmë në fund, duhet konsideruar apo jo”, tha përfaqësuesi i KAS.

Për Report Tv, ai sqaroi se nga verifikimi ka “procesverbale që nuk janë pasqyruar saktë. Ka disa pasaktësi që nuk e di ende nëse vlejnë sa për të shpallur zgjedhjet të pavlefshme në këtë qark. Mund t’ju them se nuk jemi në rastin për rinumërim të plotë të qarkut. Nuk e ka kërkuar PD
-A po ju përdor PD?
-Çefa: Jemi profesionistë në vendimmarrjet tona. Do të gjykoni më drejt nëse shihni vendimet tona në vazhdimësi”.

Krahasimi i të dhënave mes kutisë së votave dhe kutisë së materialeve zgjedhore mund të provojë nëse ka më shumë vota sesa zgjedhës të paraqitur në qendrën e votimit.  Burimet për Report Tv sqaruan se kanë rezultuar mospërputhje të vogla dhe në dukje jo madhore, pavarësisht pretendimeve që PD do të paraqesë në KAS të hënën.

Tipologjitë kryesore:

1. Fletë votimi që nuk kanë dy vula nga komisioni, por vetëm 1 (rreth 15 raste)

2. Fletë votimi në kuti më shumë se sa zgjedhës pjesëmarrës në votim (diferenca me 1 apo 2 +- që mund të jenë edhe gabim njerëzor). 

3. Fletë votimi të papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, më pak se sa janë shënuar në procesverbal. (Për këto raste PD pretendon tren bullgar, pra, dalje flete votimi jashtë qendrës)

Nesër rinumërohet Tirana

Nesër në 09:00 do të nisë rinumërimi i të gjitha votave të subjekteve politike dhe të kandidatëve në qarkun e Tiranës (1.282 kuti), më pas për Fierin (587 kuti), dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora). Në Durrës, KAS-i vendosi që të rinumërojë kutitë e KZAZ-ve 21 dhe 22 të kërkuara nga PD, dhe 60 kuti të kërkuara nga kandidati demokrat Aulon Kalaja.

Procesi realizohet nga 24 tavolina numërimi, ku janë ngritur 24 grupe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore (48 numërues + 15 zëvendësues). KQZ ka deklaruar se nuk do të kërkojë buxhet shtesë, pasi kostoja prej 21 milionë lekësh të rinj që parashikohet do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.

Për cilat qarqe zhvillohet rinumërimi?

QARKU TIRANË

Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit

18 KZAZ

1.282 qendra votimi

QARKU FIER

Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët

9 KZAZ

587 qendra votimi

QARKU DURRËS

Rinumërim i plotë për:

111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22

126 QV të listuara nga PD-ASHM

60 QV të kërkuara nga PLL

Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit

Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)

QARKU ELBASAN

94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)

Buxheti

7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve

8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike

4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse

Totali: Rreth 21 mln lekë të rinj

/Shqiptarja.com