Rama: Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare! Mbahet ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në EJ

Politikë

Publikuar: 14/06/2025

Rama: Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare! Mbahet ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në EJ

Të hënën, më 16 qershor, organizohet në Tiranë, Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar për këtë aktivitet politik, ndërsa thotë se Shqipëria është vendosur sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare.

Sipas Ramës, Shqipëria është angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.

Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 Qershor 2025, zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore #SEECP✍️

Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE.”, shkruan Rama.

SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.
Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një forum i rëndësishëm politik që synon dialogun dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore, i cili përmbyll një vit të suksesshëm të Presidencës Shqiptare nën moton “Formësojmë të ardhmen tonë evropiane”.

Tirana mori Kryesimin e SEECP-së për periudhën Korrik 2024 – Qershor 2025, pas Kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997.