Dokumenti / Prokurori i SPAK Ols Dado noter i Visit të Pojës dhe Troplinëve

Investigim

Publikuar: 13/06/2025

Dokumenti / Prokurori i SPAK Ols Dado noter i Visit të Pojës dhe Troplinëve

Prokurori i SPAK-ut Ols Dado, i katapultuar në thyerje flagrante të ligjit në sistemin e prokurorisë, rezulton se ka qenë noteri i besuar i Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, i goditur disa ditë më parë nga SPAK dhe autoritetet italiane si kreu i një prej organizatave kriminale më të fuqishme në vend, me veprimtari në fushën e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Xhevdet Troplini dhe nipi i tij Visi i Pojës, të cilët sipas dosjeve penale kanë nisur trafikun e drogës që në vitet 2000, shkonin tek Ols Dado për të noterizuar shit-blerjet e biznesve, pra investimin e parave të dyshuara si të pista në blerje kompanish dhe pasuri të paluajtshme.

Në 5 shtator të vitit 2008, Visi i Pojës, përmes babai të tij Hysen Doçi, i blen kompaninë e vezëve Ovvital shpk shtetasit Emiliano Gjergjit. Kontrata e blerjes së kompanisë noterizohet nga Ols Dado, asokohe noter në Durrës.

Fakti që Visi i Pojës është pronari faktik i kompanisë së vezëve e tregon ky dokument që trefon se Hysen Doçi është babai i Elvis Doçit. Në këtë dokument Visi i pojës është pronar i kompanisë Eldemar Construction shpk, me të cilën vitin e kaluar ka marrë leje nga AZHT për një hotel në Durrës.

Ndërkaq, 11 vite më vonë, në shtator 2019, Hysen Doçi, babai i Visit të Pojës i dhuron 50 % të aksioneve të kompanisë së vezëve Xhevdet Troplinit, i njohur si njeriu më me autoritet i grupit kriminal dhe si financues i aktivitetit.

Tashmë Ols Dado ishte emëruar prokuror me propozim të Ina Ramës dhe me miratim të Bamir Topit. Por, kjo kontratë nuk është lidhja e vetme e dyshuar e Ols Dados me grupet kriminale të Shijakut, të goditura nga SPAK.

Dado është përfolur edhe për lidhje me Altin Hajrin, një nga figurat kryesore të krimit të organiuzar në Shijak, i akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jani Prengës në janar të vitit 2020, ku fillimisht u dënua me 7 vite burg, por më pas Apeli e shpalli të pafajshëm.

Hajri, i hetuar për trafik droge, ka një mase tjetër sigurie për dosjen e ish- deputetit socialist Jurgis Çyrbja. Dhe pikërisht tek kjo dosje është përfolur emri i prokurorit të SPAK, Ols Dado, i cili besohet se kontaktet e para me figura të krimit i krijoi nga lidhja që kishte me të ndjerin Sokol Olldashin. Nuk është më sekret se Dado ishte një investim i Sokol Olldashit, Ina Ramës dhe Gazment Oketës, ku duke e katapultuar prokuror pa plotësuar kriteret, mund t’a komandonin lehtësisht.

Në fund të vitit 2024, Sali Berisha, duke u kamufluar pas ‘qytetarit digital’, shkroi se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur në lokalin Kështjella, ku u ekzekutua Alfred Dedja. Nga përgjimet e SKY ECC kishte rezultuar se Altin Hajri kishte kërkuar ndihmë tek ish deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja për t’a liruar kunatin e tij, ndërsa flisnin me një personazh, i dyshuar si njeri i drejtësisë, me emrin Ols.

SPAK doli me një deklaratë për median, duke  përgënjeshtruar pretendimet se prokurori i SPAK Ols Dado kishte liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit. “SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.  SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative“, thuhej në deklaratë.

Natyrisht, mes SPAK-ut dhe Sali Berishës, opinioni publik është i prirur të besojë më shumë SPAK-un. Por nga ana tjetër mbetet enigmë se kush është Olsi për të cilin flisnin Jurgis Çyrbja dhe Altin Hajri. Dyshimet shtohen kur ka dyshime të forta se Altin Hajri dhe Ols Dado, duke qenë nga Shijaku dhe meqenëse Dado noterizonte kontratat e figurave të krimit, kanë njohje me njëri-tjetrin.

Gjithsesi i vetmi që mund t’u japë fund këtyre dyshimeve është Jurgis Çyrbja, të cili në dosje rezulton se kishte lidhje të ngushta edhe me një ministër. Jurgis Çyrbja, i cili duket se më shumë u godit në mënyrë të sforcuar për kompensim politik, e di se për cilin Ols bëhet fjalë, por deri më tani ka vendosur të mos flasë, duke bërë burg si dëm kolateral.