Erion Isai dhe Ajlin Petrela janë zyrtarisht ish-bashkëshortë. Gjykata e Tiranës ka firmosur kërkesën e kryebashkiakut të Kolonjës dhe regjisores për të mbyllur pas 14 vitesh raportin e tyre martesor, sepse ajo në vetvete e kishte humbur qëllimin.
Lajmi për një krizë në marrëdhënie që tashmë kishte përfunduar në dyert e gjykatës ishte përfolur prej kohësh, por asnjëri nga të dy nuk e kishte pranuar publikisht, edhe përse “sinjalet” kanë qenë deri diku të qarta.
Disa vite më parë, Ajlin kishte folur hapur për rolin e saj në marrëdhënie duke lënë të kuptohet për një disbalancë të gjatë në sakrifica. “Kam sakrifikuar karrierën time për t’i dhënë hapësirë karrierës së Erionit”, ka rrëfyer ajo atëkohë. “Ai ka sakrifikuar vetëm 2 muaj nga 12 vitet tona së bashku.”
Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, thuhet se çifti nuk ka më afeksion, jetojnë të ndarë dhe se martesa e tyre ka humbur kuptimin, ndaj në muajin Prill është vendosur dhe zgjidhja e saj ligjërisht.
Erioni dhe Ajlin janë njohur gjatë kohës që studionin në Akademinë e Arteve dhe sot, pas 14 vitesh romancë, ata janë edhe prindër të dy vajzave, Ajër dhe E’dua.
Ajlin Petrela, regjisore me profesion, e ka cilësuar rritjen e dy vajzave si arritjen më të madhe personale, por ka lënë të kuptohej se ishte koha të kthehej tek vetja dhe pasioni për artin. Ndërkohë, Erion Isai është futur në politikë dhe drejton Bashkinë e Kolonjës në mandatin e dytë.