Kryetari i PD-së Sali Berisha nuk bën asnjë hap pas nga nxirja e Shqipërisë brenda dhe jashtë Shqipërisë si një vend që drejtohet nga narkoshteti, ku bandat janë më të fuqishme se ligji.
Edhe ditën e sotme (9 qershor) ai doli në konferencë për mediat, ku hodhi akuza të rënda dhe madje vijoi të këmbëngulte për ‘trenin bullgar’ edhe pse zyrtarisht i është rrëzuar nga organet ligjzbatuese.
Berisha serviri edhe një video që e shiti si një rast të blerjes së votave më 11 maj nga patronazhistët e PS-së dhe se ia ka vënë në dispozicion autoriteteve. Ai ritheksoi se “farsa elektorale dhe këto zgjedhje nuk do njiheshin kurrë”.
“Kamera e syve të qytetarëve kanë parë e filmuar momentin e dhënies së lekëve për blerje votash, e kjo në Tiranë, në Babrru. Qytetare guximtare, edhe pse ata ishin disa, ajo i gjurmon, i filmon dhe i ndjek. Nuk mjaftuan 76 mln euro të ndara publikisht, 200 mln euro gjoba e kamata të falura, 500 mln euro koncesione, por kaluan edhe në shpërndarje votash nëpër qoshe. Këto zgjedhje nuk njihen kurrë, janë farsë dhe jo zgjedhje. Kjo farsë nuk njihet kurrë. Paraqëesim para mendiave dhe komunitetit ndërkombëtar fakte të pakundërshtueshme të farsës, që degjelitimojnë plotësisht qeverinë e dalë pas zgjedhjeve”, tha kreu i selisë blu.
Pyetjeve të gazetares Danjela Maloku Berisha u përpoq që t’i përgjigjej duke zhvendosur vëmendjen dhe pretenduar se shteti harxhoi deri në një miliard euro para dhe gjatë fushatës elektorale me tenderë, leje ndërtimi, licenca kanabisi, bonus pensionesh e falje gjobash.
“Eksponentë të thekur të Partisë Socialiste, janë të idenfitikuar. Narkoshteti është akoma më i zi. A mund të përfaqësojë Sara Mile qytetarin e ndershëm, po Arkend Balla? Farsa elektorale nuk do njihet kurrë”, vijoi ai.
Madje edhe për “trenin bullgar” ai u shpreh se po flitej para kohe dhe se herën tjetër do dorëzonte prova, duke rrëzuar edhe KQZ-në:
“Herën tjetër do paraqes tenin bullgar me të gjitha faktet dhe provat. Asgjë që shfaq KQZ nuk qëndro, janë falsifikime, fletët mungojnë, janë shumë. Ku janë fletët. U hapën 4 kuti në Vlorë, u gjeten 500 e ca fletë tepër? 450 fletë. Kutia e tërë, në do bajmë autopsinë e kësaj farse para jush, qytetarëve e komunitetit ndërkombëtar.
Ai nuk i kurseu edhe akuzat ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e bërë bashkëfajtor në mbrojtjen e krimit elektoral të Ramës.
“Ka 3 vite që nuk kapet 1 kg drogë në Durrës. Altin Troplini njoftoi Elvis Doçin dhe Troplinët ikën para kohe kur doli fletë-arresti. E patë çfarë ndodhi me Finlandezin, i shkau goja Alfred Shehut dhe ky ndërhyri menjëherë e korrigjoi. Shqipëria është free, është toka e kokainës. Këtu qeveria, shteti janë të zhytur në pluhur të bardhë. Duhet të vijnë nga Italia, Finlanda, Gjermania për të kapur drogën. Se ndryshe këta që marrin rroga? 7 mijë euro në muaj marrin, e s’u dalin se i kanë për kafe ato ata!”, vijoi ai akuzat ndaj drejtësisë.
Një përgjigje Berisha e pati edhe për kryeparlamentaren Elisa Spiropali, teksa u pyet nga gazetarja e Report Tv, Maloku, për seancën parlamentare të kaluar, ku ndaj tij u lëshuan kritika të forta.
Teksa nxori disa foto artikujsh të mediave, ai e lidhi kreun e Kuvendit me dosjen “metamorfoza”, duke i përsëritur edhe epitetin e mbiemrit. Madje teksa iu desh kohë që ta gjente në iPadin e tij ‘dosjen sekrete’, Berisha pati edhe momente pasthirrmash.
“Prisni pak se libraria ime digjitale… durim se këtu ka pak valë, se ça bëjnë me këtë, s’merret vesh (s’i lidhet interneti). Prisni pak… ju lutem… eh! Keni dëgjuar ju dosjen ‘Metamorfoza’, e dini ju. I kushtohet Pëllumb Gjokës, kurse Pëllumbesha Spirogjokës nuk e përmend kush. Kam një video unë, më thoni ju, a është më klasikja e Metamorfozës kjo. Më doli… eh… ja e gjeta, e gjeta… po ecën! Ishte Spiropali dhe u bë Spirogjoka. Është kjo apo jo? Pse t’i biesh më qafë Pllumbit dhe të mos i biesh Spirogjokës?! Ja kush është Spiropali. Ja ta çoj aty, se del më bukur, e sheh populli më mirë! Në e-mail po ta nis, ishte rastësi kjo, por më doli tani! Ia vlen të shpenzosh se është ilustrimi më i mirë i metamorfozës. Se këta e kanë të sulmojmë sa më shumë Berishën që të zëmë pozicion. Ilustrim më origjinal, më i vërtetë i metamorfozës në narkoshtet, merreni dhe çojani se kjo është përgjigja ime për fjalimin që ajo ka mbajtur. Se unë nuk isha, se do ia shfaqja atje”, tha ai.
Në fund ai i qëndroi diskursit të tij se “ky është vetëm fillimi”, teksa tha se po i mbshtet edhe kandidatët që kërkojnë rinumërimin dhe kanë ankesa.
“Ky është vetëm fillimi. Ky proces ka të bëjë vetëm me atë që mund të quhet transparencë, asnjë tjetër gjë nuk ekziston. Çdo njeri që ka kërkuar këtu në parti rinumërim votash, absolutisht i është pranuar. Madje i është kërkuar që të kërkojë rinumërimin e votave nëse ka dyshime. Kushdo që do, le ta kërkojë atë në Komision, rezultati mund të jetë ky apo një tjetër, por transparenca është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur çdo dyshimi. Asnjëlloj tendence nuk kam në këtë proces. E kërkojnë, le ta bëjnë”, u shpreh ai, duke shtuar se “bëri fushatën më të bukur të jetës së tij”.
Dhe për ta përmbyllur, u rikthye për të bërë komente përsëri ndaj drejtësisë dhe ‘dredhoi’ për fatin e komisionerëve demokratë nëse gjenden parregullsi gjatë rinumërimit të kutive të Tiranës, me devijim të votës së kandidatëve brenda partisë.
“Bashkë me ndërkombëtarët kam mision kthimin e votës së lirë, është mision epik, historik. Ato i fut turshi SKAPI i partisë, Altin Dumani e udhëheq krimin elektoral bashkë me Edi Ramën, dhe madje e mbron. Do mbahet qëndrim ligjor, sigurisht që po, do mbahet. A do shkojnë apo jo në SKAP këtë nuk mund ta them sepse kjo është bërë sipas kërkesës së ankimimeve individuale të kandidatëve.