Prokuroria e Tiranës ka marrë të pandehur imamit të njohur Ahmed Kalaja, një star i rrjeteve sociale, i cili herë pas here ekspozon makina të shtrenjta dhe motorra. Kalaja akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, kryer në bashkëpunim, një vepër që parashikon dënim me gjobë ose deri në tre vite burg.
Kalaja, i cili drejton xhaminë “Dine Hoxha” në rrugën e Kavajës, akuzohet se ka penguar hetuesit gjatë një operacioni të drejtorisë së antiterrorit në vitin 2022, duke refuzuar të dorëzojë pamjet e kamerave të sigurisë të vendosura në ambientet e xhamisë.
Hetimet kishin të bënin me persona që dyshohej se shpërndanin fletushka me përmbajtje që nxisnin urrejtjen dhe përçarjen mes besimtarëve. Kalaja mohoi akuzat, duke e quajtur çështjen një “keqkuptim” dhe duke theksuar se ka qenë bashkëpunues me autoritetet në çdo hap të procesit.
Ahmed Kalaja gëzon reputacion të lartë në komunitetin mysliman shqiptar, me një prani të madhe në rrjetet sociale, ku ndiqet nga qindra mijëra ndjekës. Kohë më parë, Kalaja është shfaqur me një Porsche super luksoz në rrjetet sociale, për të thënë se çfarë lutje duhet të bëjmë kur hipim në makinë.

Në janar të vitit 2022, Kalaja ka hapur edhe një servis makinash me emrin ‘Makina e lumtur’. Kalaja ka edhe disa prona te Rruga e Kavajës.