Kryeministri Edi Rama ka ndarë momente nga Stërvitja “Defender 25” që vijon në Shqipëri. Në një postim në rrjete sociale, kreu i qeverisë shprehet se është një nga stërvitjet më të mëdha dhe më komplekse të dekadës së fundit që zhvillohet në Evropë dhe Afrikë.
“Mirëmëngjes dhe me Forcat e Armatosura që vijojnë stërvitjen “Defender 25″, stërvitja ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Europë dhe Afrikë, që zhvillohet nën udhëheqjen e Komandës Europiane të SHBA, në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO-s ju uroj një fundjavë të mbarë”, ka shkruar Rama.
Sakaq, sot, në orën 10:00 në Qendrën Stërvitore në Bizë do të zhvillohen demonstrime të forcave, si pjesë e stërvitjes Defender 25.
Stërvitja Defender 25 nisi më 27 maj. Stërvitja ku përfshihet Shqipëria është ajo e fazës së dytë, “Immediate Response”, (Përgjigje e shpejtë), me 12 mijë trupa, me 8 shtete në total, ku përfshihen edhe territore në Bullgari, Kroaci, Greqi, Kosovë, Mali të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.