Presidenti Trump ndodhet në një përplasje me njeriun më të pasur të botës, i cili nuk është aspak një kundërshtar i zakonshëm.
Që kur mori detyrën në janar, Presidenti Trump është përballur me pak ose aspak opozitë me peshë.
Kongresi ka qenë i bindur dhe dukshëm i painteresuar për të ushtruar mbikëqyrje. Ai ka anashkaluar gjykatat për të vendosur vullnetin e tij mbi politikat e imigracionit dhe për të marrë hak ndaj firmave ligjore dhe universiteteve. Mediat konservatore e kanë mbështetur atë dhe agjendën e tij, ndërsa disa media kryesore janë treguar të përmbajtura
Por tani, Trump nuk po përballet vetëm me një kundërshtar të fuqishëm për herë të parë këtë vit — ai po përballet drejtpërdrejt me një rival të zemëruar si Elon Musk, i cili ka kapacitetin për të vazhduar betejën dhe ndan me presidentin instinktin për të goditur rëndë kundërshtarët dhe për të përdorur çdo mjet, për të fituar qoftë edhe një përparësi afatshkurtër.
Është një sfidë e re për Donald Trumpin, i cili gjithmonë ka pasur talentin për të trembur dhe poshtëruar rivalët dhe për të përdorur rrjetet sociale dhe fuqinë e presidencës për të shkatërruar çdo opozitë.
Musk, i cili zotëron X dhe ka 220 milionë ndjekës, mund të konkurrojë ose ndoshta të tejkalojë fuqinë e zërit të Trump në rrjetet sociale, duke pasur parasysh shtrirjen e kufizuar të Truth Social, platformës së presidentit.
Nëse do të ishte një përballje e ngjashme me ngacmuesit në shkolla ose përbindëshat kinematografikë, do të ishte një betejë e vërtetë. “Është tamam si Godzilla kundër Kongut,” tha Costas Panagopoulos, profesor i shkencave politike në Universitetin Northeastern.