Pas hapjes së katër kutive me fletët e votimit të papërdorura të qarkut Vlorë një ditë më parë, sot pritet që të verifikohen edhe 233 të tjera, ku komisionerët kanë deklaruar zero fletë të papërdorura.
Kërkesa u miratua një ditë më parë nga KAS, edhe pse alibia e PD se nuk gjenden 130 mijë fletë votimi të papërdorura u rrëzuan me verifikimin e bërë në katër kutitë e Vlorës.
Do të jetë një grup pune që do të shkojë në orën 09:00 në magazinat e KQZ-së në Vaqarr dhe do të verifikojë atje nëse ndodhen ose jo fletët e votimit të papërdorura për 233 qendra votimi.
Siç bëri me dije KAS, procesi do të zhvillohet sipas rendit: Vlorë, Dibër, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër, Fier, Berat, Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Të pranishëm për të ndjekur procesin mund të jenë edhe subjektet politike.
Çfarë ndodhi një ditë më parë në mbledhjen e KAS?
U kapën katër kuti me fletë votimi të papërdorura të qarkut Vlorë, më konkretisht në bashkitë Vlorë, Selenicë, Sarandë dhe Finiq. Verifikimi konfirmoi edhe qëndrimin e KQZ se nuk kemi të bëjmë me zhdukje të fletëve të votimit të papërdorura, por me një gabim njerëzor, ku komisionerët në vend se të kishin shënuar në procesverbal sa fletë votimi nuk u përdorën më 11 maj, kanë shënuar zero.
Edhe pse fletët rezultuan në kuti, PD vijoi më tej me “tekat” duke kërkuar verifikimin e të gjitha kutive të votimit me fletë të papërdorura. Pas shumë diskutimesh, PD përdori dy anëtarët e saj në KAS. Ledio Braho dhe Elvis Çefa për ta zgjeruar hetimin edhe në këto 233 qendra votimi.
U vendos që të ngrihej një grup pune, i cili do të shkojë në magazinat e KQZ-së e do të verifikojë atje nëse ndodhen ose jo fletët e votimit të papërdorura për 233 qendra votimi.