Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu priti dje përfaqësuesit e lartë të Fondacionit Westminster për Demokraci (WFD), z. Chris Levick, Drejtori Rajonal i WFD për Europën dhe Azinë Qendore; z. Damir Neziri, Zëvendësdrejtor Rajonal i WFD për Ballkanin Perëndimor; znj. Valbona Kuka, Drejtore e WFD për Shqipërinë si dhe përfaqësues nga Ambasada Britanike, në kuadër të bashkëpunimit bilateral me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Mbretërisë së Bashkuar (NAO UK). Në takim mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i KLSH-së, znj. Valbona Gaxha.
Gjatë takimit u dakordësua për vazhdimin e bashkëpunimit për ndërtimin e kapaciteteve institucionale, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, duke përfshirë NAO UK dhe homologët rajonalë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka implementuar me sukses disa programe trajnimi të mbështetura nga WFD, për përmirësimin e teknikave dhe metodave të hartimit të raporteve të auditimit, zhvillimin e strategjisë së komunikimit institucional dhe mbulimin e aspekteve teorike dhe praktike të komunikimit të veprimtarisë audituese.
Këto iniciativa synojnë hartimin e një strategjie komunikimi dhe mekanizma të përmirësuara raportimi me Parlamentin, shoqërinë civile dhe median me fokus në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Kontrolli i Lartë i Shtetit festoi 100-vjetorin e themelimit
Në datë 20.05.2025, në një ceremoni solemne të mbajtur në sallën e seancave plenare të Kuvendit Repubikës së Shqipërisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) festoi 100-vjetorin e themelimit, një moment historik për institucionin më të lartë të auditimit në vend.
Pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme për historinë institucionale të vendit ishin kryetarja e Kuvendit të Repubikës së Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, delegacione nga 19 institucione supreme auditimi në rajon dhe më gjerë, partnerë ndërkombëtarë, ministra, deputetë, drejtues institucionesh, akademikë, përfaqësues të medias, të shoqërisë civile, punonjës dhe ish-punonjës të KLSH-së etj.

Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të KLSH-së, z. Arben Shehu, i cili theksoi rëndësinë e këtij përvjetori jo vetëm si përkujtim historik, por si një pikënisje për të ardhmen:
“100 vite histori nuk janë thjesht një rrugëtim për t’u përkujtuar, por një bazë e fortë për të ndërtuar të ardhmen. Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vazhdojë të përmirësojë kapacitetet profesionale, të adoptojë teknologji moderne dhe të qëndrojë në dobi të interesit të përbashkët.
Ky përvjetor është jo vetëm një pikë ndalese për të vlerësuar rrugëtimin tonë, por edhe një pikënisje për një angazhim të ri, për të ndërtuar një të ardhme më të përgjegjshme, më efikase dhe më të ndershme në shërbim të qytetarit.
Dua të ritheksoj se Kontrolli i Lartë i Shtetit do të qëndrojë besnik ndaj misionit të tij kushtetues në sinkron me interesin e shtetit dhe në thelb të çdo shqiptari. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesin publik dhe të çdo shtetasi shqiptar, me përkushtim ndaj parimeve të shtetit të së drejtës dhe të mirëqeverisjes. Jam i bindur se rruga jonë e përbashkët do të vijojë me bashkëpunim të qëndrueshëm, shkëmbim të ndërsjellët dhe mbështetje reciproke për të ndërtuar institucione më të forta dhe administratë më të përgjegjshme”, theksoi Kryetari i KLSH-së.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, në fjalën e saj vlerësoi Kontrollin e Lartë të Shtetit, si një instrument kyç për forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, duke siguruar mbështetjen e Kuvendit për ruajtjen e pavarësisë institucionale.
“Kuvendi do të vijojë të mbështesë të gjitha institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj dhe pavarësinë e tyre, për të përmbushur misionin si roje të interesit publik e qytetar. Pavarësia e institucioneve është një përmasë jetike e mirëfunksionimit të pushteteve në sistemin demokratik, po aq sa edhe përgjegjësia, transparenca dhe llogaridhënia e tyre. Ne vlerësojmë përpjekjet tuaja për forcimin e pavarësisë dhe profesionalizmit institucional, si një institucion kushtetues, që udhëhiqet nga parimet e shtetit të së drejtës, vlerësime këto edhe të raporteve më të fundit të monitorimit të Shqipërisë nga OECD dhe BE. Kuvendi është i angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe për këtë ka kërkuar dhe do të vijojë të kërkojë kontributin tuaj”, – u shpreh znj. Spiropali.
Në aktivitet mbajti fjalën edhe Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian, z. Silvio Gonzato. Duke vlerësuar rolin kyç të Kontrollit të Lartë të Shtetit në forcimin e qeverisjes së mirë dhe transparencës në vend, Ambasadori Gonzato theksoi se një institucion i pavarur, i besueshëm dhe efektiv është thelbësor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Puna e tij shkon përtej auditimit, ndihmon në parandalimin e mashtrimeve, parregullsive në prokurime dhe promovon transparencën përmes përfshirjes së hapur me qytetarët dhe institucionet. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur Kontrollin e Lartë të Shtetit, ndërsa Shqipëria avancon në rrugën e saj drejt BE-së. Legjislacioni i BE-së kërkon që institucionet si KLSH të jenë të pavarura dhe të pajisura me burimet dhe mandatin e duhur për të ushtruar kontroll mbi të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e fondeve publike, përfshirë ato të Bashkimit Europian dhe të donatorëve të tjerë. Çfarëdo ndryshime që do të bëhen duhet të jenë në përputhje të plotë me kërkesat e legjislacionit dhe standardeve të BE”, – tha Ambasadori Gonzato.
Gjithashtu në ceremoni përshëndetën Presidenti i EUROSAI-t dhe Kontrollori i Shtetit të Izraelit, z. Matanyahu Englman; Presidenca e INTOSAI-it me përfaqësues z. Augusto Nardes, Ministër pranë Gjykatës së Llogarive të Brazilit; Auditorja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, znj. Vlora Spanca; Presidenti i Zyrës Supreme të Auditimit në Poloni, z. Marian Bana; Zëvendëspresidentja e Gjykatës Greke të Auditimit, znj. Maria Vlachaki.
Përmes një video përcollën përshëndetjet e tyre për jubileun e KLSH-së edhe znj. Enriqueta Chicano Javega, Presidente e Gjykatës së Auditimit të Spanjës dhe Sekretare e Përgjithshme e EUROSAI-t, si dhe z. Einar Gorrissen, Drejtor i Përgjithshëm, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-it.
Ceremonia u përmbyll me fjalimin historik mbi rrugëtimin e KLSH-së nga Prof. Dr. Nevila Nika dhe fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Dorina Hoxha.