Një ditë pas vrasjes së 57-vjeçarit Pjetër Kaza në Tale të Lezhës, ngjarja vijon të mbetet pa autor. Përgjatë 24 orëve, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por dëshmitë e tyre nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorit apo zbardhjen e motivit të krimit. Ndërkohë, kamerat e sigurisë të bizneseve dhe banesave në një perimetër të gjerë janë sekuestruar dhe po analizohen nga grupi hetimor në përpjekje për të identifikuar lëvizjet e autorit ose autorëve para dhe pas ngjarjes.
Burime pranë hetuesve bëjnë me dije se pista kryesore mbi të cilën po përqendrohet hetimi është ajo e hakmarrjes, ndërsa referuar ekspertizës mjeko-ligjore, viktima është qëlluar me dy plumba – një në kokë dhe një në pjesën e gjoksit.
Dyshohet se për vrasjen e tij është përdorur një armë me silenciator, pasi dëshmitarët në zonë nuk kanë dëgjuar të shtëna armësh në momentin e krimit.
Hetimet vijojnë edhe ne pista te tjera, ndërsa në zonë vijon të ketë forca policie në kërkim të gjetjes së ndonjë prove për zbardhjen e ngjarjes.