U dënua për kallëzim të rremë, Ervin Salianji kërkon lirinë

Politikë

Publikuar: 29/05/2025

U dënua për kallëzim të rremë, Ervin Salianji kërkon lirinë

Ervin Salianji i është drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Fierit, ku kërkon lirinë me kusht, pasi ka ezauruar 2/3 e dënimit.

Salianji ndodhet prej 27 shtatorit të vitit të kaluar në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me 1 vit burgim për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.

Pasi ka kryer mbi 8 muaj burgim, tashmë Salianji kërkon lirinë, por vlen për t’u theksuar fakti se ai ka si dënim plotësues edhe heqjen e të drejtës prej 5 vitesh për të ushtruar funksione publike.

Ervin Salianji, por dhe Partia Demokratike, e kanë konsideruar dënimin e Apelit për të si një hakmarrje politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt dhe të pambështetur në prova dhe në ligj. Ish-deputeti demokrat e konsideron veten si një të dënuar politik dhe ka paralajmëruar se çështjen do e ndjekë deri në Strasburg.