“I gjithë vendi qëndron me Liverpoolin”/ Starmer reagon pas ngjarjes tragjike në mes të qytetit

Aktualitet

Publikuar: 27/05/2025

“I gjithë vendi qëndron me Liverpoolin”/ Starmer reagon pas ngjarjes tragjike në mes të qytetit

Një ngjarje e rëndë ndodhi në Liverpul ku gjatë festimeve të fitores së skuadrës së futbollit FC Liverpool, një automjet ka hyrë me shpejtësi në turmën e tifozëve, duke përplasur turmën. Për pasojë raportohet se janë plagosur 27 persona, mes tyre edhe katër fëmijë. Ngjarja ndodhi teksa ekipi po udhëtonte në qytet me një autobus të hapur për të festuar titullin kampion, në një itinerar rreth dhjetë miljesh, ku pritej pjesëmarrja e afro një milionë vetëve. Policia ka ndaluar shoferin e makinës, një 53-vjeçar britanik nga zona lokale. Ende nuk janë bërë të qarta motivet e incidentit dhe hetimet janë në vazhdim.

Autoritetet njoftuan se ngjarja u raportua rreth orës 18:00, sipas orës lokale. Dëshmitarë okularë thanë se dëgjuan ulërima dhe panë makinën me ngjyrë të errët që kaloi përmes turmës, duke shkaktuar kaos.

Në një deklaratë të lëshuar nga Downing Street, Starmer bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me Steve Rotheram, kryetarin e bashkisë së Rajonit të Qytetit të Liverpoolit, për të diskutuar “ngjarjen e tmerrshme” të së hënës.

“Të gjithë, veçanërisht fëmijët, duhet të jenë në gjendje të festojnë heronjtë e tyre pa këtë tmerr”, deklaroi Starmer, duke iu referuar atmosferës festive që u kthye në një skenë paniku dhe frike.

Kryeministri gjithashtu vlerësoi “trimërinë e jashtëzakonshme” të policisë dhe ekipeve të emergjencës që ndërhynë menjëherë në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.