Prindërit e fëmijëve që u helmuan me salmonelë në kopshtin nr.1 në Gramsh kanë dalë sot në protestë para bashkisë, duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes. Për mediat ata shprehin shqetësimin për sigurinë e fëmijëve të tyre, ndërsa hedhin akuza se ngjarja është tentuar qe të mbahet e fshehtë.
Njëri nga prindërit, në një prononcim për mediat, i bëri thirrje prokurorisë që t’i shkojë deri në fund ngjarjes.
“Na keni helmuar fëmijët. Na jepni përgjigje, i bëj thirrje Prokurorisë. Prokurori Kreshnik Ajazi të ndjekë këtë çështje. Çoje deri në fund këtë ngjarje. Të intimidohen njerëzit ka 10 ditë. Këtu duhet të kishte dalë i gjithë Gramshi, se nesër mund të jenë fëmijët e tyre. Nuk është çështje politike por qytetare. Në çdo rast, dhe për diçka të vogël, po të shkojmë në spitalin e Gramshit, vjen automatikisht policia. Provat janë marrë të shtunën nga AKU.”, deklaroi një prind.
Një tjetër tha se i është ndaluar ta dërgojë fëmijën në spital për shkak të frikës se mund të përhapet.
“Burime jo zyrtare thonë nga ushqimet. Nga edukatoret, nusja thotë se ka konsumuar supën e pulës. Më është ndaluar, se duke qenë sëmundje ngjitëse, që ta çoj në pavion se mund të përhapet dhe po e mjekoj në shtëpi.”, shtoi prindi.Një tjetër tha se i është dashur që të bëjë debate për të marrë përgjigjen që tregonte se fëmija ishte prekur nga salmonela.
“Kam një fëmijë që ka dalë pozitiv. Përgjigjen e kam marrë dje pas disa sherreve nga kopshti. S’jepnin përgjigje duke thënë se nuk ka dalë përgjigjia, dhe dje me atë debat që bëmë mezi e mora sepse thoshin do të jepet në mënyrë zyrtare. Nga ana e tyre s’kemi parë asnjë gjë dhe përderisa është sëmundje ngjitëse, duhet që të thuhej se duhet të merren masa. Asnjë gjë zyrtare, as nuk na kanë pyetur se si është fëmija. Kam marrë një mjekim duke folur me një doktoreshë. Kjo nuk varet kështu, sepse po të kishte përkushtim nga shteti, shkon edhe merr një rezetë.. Ne kërkojmë të zbardhet e drejta e kësaj. Nuk duam as të përfitojmë asnjë gjë. Ky është tender online që i është dhënë një kompanie jashtë qytetit tonë, ka shumë biznese të mirëfillta këtu që mund ta bëjnë këtë punë më mirë sesa ai.”
Helmimi i fëmijëve të kopshtit shtetëror në Gramsh po hetohet nga prokuroria e Elbasanit ndërsa në ISHP dhe Institutin e Sigurisë Ushqimore po kryen dhjetëra analiza. Në hetim është edhe kompania ‘Nelsa SHPK’, e cila furnizon me ushqime kopshtin por edhe shumë institucione të tjera si spitale në disa qytete.