Dalin përgjimet / Si u instruktua në Beograd dëshmitari Halit Sahitaj kundër Hashim Thaçit, roli kyç i agjentit Faik Imeri, një komplot kundër UÇK-së së lavdishme

Krim & Korrupsion

Publikuar: 24/05/2025

Dalin përgjimet / Si u instruktua në Beograd dëshmitari Halit Sahitaj kundër Hashim Thaçit, roli kyç i agjentit Faik Imeri, një komplot kundër UÇK-së së lavdishme

Gazetari Milaim Zeka ka nisur të publikojë serinë e disa përgjimeve, përmbajtja e të cilave tregon se si qarqet anti-shqiptare në Beograd dhe prokurorë të korruptuar kanë montuar procesin ndaj Hashim Thaçit, duke instruktuar dëshmitarë të rremë, për të baltosur luftën e lavdishme të UÇK-së.

Gazetari Zeka ka publikuar biseda të përgjuara mes kryeprokurorit Alan Tiger të çështjes kundër Thaçit dhe biznesmenit Halit Sahitaj, i cili duke gënjyer ka dëshmuar kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Përgjimet tregojnë se dëshmitari i rremë Halit Sahitaj është instruktuar nga agjenti i BIA-s serbe Faik Imeri, duke montuar procesin kundër krerëve të UÇK-së, në bashkëpunim me Jack Smith, ish-kryeprokurori i Hagës.

Dëshmitari Halit Sahitaj i tregon prokurorit të çështjes kundër Thaçit se si ka shkuar në Beograd bashkë me Faik Imeri, ku kanë takuar shefin e shërbimit sekret serb Bojan Dimiq dhe Millan Radojçiqi, një figurë e botës së krimit në Veri të Kosovës, pjesë e listës së zezë të SHBA. Bojan Dimiq dhe Millan Radojçiqi janë dy njerëzit më të besuar të Vuçiç.

Bojan Dimiq, Millan Radojçiqi dhe Faik Imeri kanë instruktuar Halit Sahitajn, duke e paguar që të dëshmojë kundër krerëve të UÇK-së. Faik Imeri, vëllai i Haki Imerit, i vrarë paslufte, ka deklaruar pesë vite më parë se punon për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.

Por në një dokument me të dhëna të klasifikuara del në pah roli i dyshimtë i Faik Imerit, i cili është cilësuar një bashkëpunëtor i BIA, Shërbimi Sekret Serb dhe që është kamufluar si agjent i CIA për të marrë dëshmimtarë kundër UÇK-së. Faik Imeri akuzohet se çoi mbi 60 dëshmitarë të rremë kundër Thaçit e Veselit në Hagë. 

Sipas dokumentit, Milo Djukoviç, ish bashkëpunëtor i ish-Presidentit të Malit të Zi është bindur përmes shantazheve për të dëshmuar kundër Hashim Thaçit. Nga të dhënat e dokumentit takimi është zhvilluar me ndërmjetësimin e Komandatit të Policisë së Malit të Zi, Lazaroviç në një hotel të njohur në Cyrih. Prokuroria e Specializuar ka pranuar se ka bashkëpunuar me Faik Imerin, por që emri i tij është i redaktuar në shkresa, në vitin 2017.

Sahitaj i alarmuar: Kam kërkuar takim me eprorë amerikanë!( Pjesa 2)

Në pjesën e dytë të audio-incizimeve te cilat i posedon gazetari, Milaim Zeka e qe u bënë publike këtë të shtunë në kanalin e tij zyrtar ne YouTube “Me Milaim Zeken”, biznesmeni Sahitaj hedh poshtë pretendimet se ka kërkuar të tërheqë deklaratën e dhënë në tetor të vitit 2020 për Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjatë bisedes me prokurorin kryesor në rastin e Thacit, z. Tieger, Sahitaj sqaroi se deklarata e tij është dhënë me vullnet të plotë dhe se çdo keqkuptim mund të ketë ardhur nga komunikimi me z. Bennett.

“Është një keqkuptim këtu, në asnjë moment unë nuk kam thënë se dua të tërheq deklaratën që e kam dhënë”, deklaroi Sahitaj, duke shtuar se “atë deklaratë e kam dhënë me vullnet të plotë. Por janë disa sqarime tjera paralele.”

Në vijim të dëshmisë, Sahitaj bëri të ditur se ka tentuar të kontaktojë edhe ambasadën amerikane në Madrid, vetëm pak ditë pas bisedës me z. Bennett, për të kërkuar një takim me një përfaqësues të lartë amerikan.

“Kam dhënë arsyen time për një takim në Madrid me një epror amerikan, për një shpjegim lidhur me një shqetësim që kam dy-tre javë, dhe për mua është shumë e rëndësishme”, tha ai.

Kjo pjesë e dëshmisë hap pyetje serioze lidhur me natyrën e këtij “shqetësimi” të dëshmitarit, si dhe arsyen e përfshirjes së diplomacisë amerikane në këtë çështje. Roli i dëshmitarëve dhe besueshmëria e deklaratave të tyre mbetet një nga çështjet kyçe në proceset që lidhen me Dhomat e Specializuara në Hagë.

Të gjitha audio- incizimet e që janë seri prej 18 episodash Zeka ka paralajmeruar që do të publikohen në kanalin në YouTube “me Milaim Zekën”.