Ky është Adi Çoba, një prej kokave të grupit kriminal që u shkatërrua në Durrës nga autoritetet shqiptare dhe italiane. Siç evidentohet dhe në fashikujt e dosjes voluminoze italiane mësohet se Çoba, koordinonte dhe drejtonte nga Shqipëria aktivitetet e anëtarëve të tjerë të organizatës kriminale, shqiptarët dhe italianët.

Në dosjen italiane thuhet se Adi Çoba, “në cilësinë e kreut dhe promovuesit të shoqatës, merrte dhe dërgonte në Itali korrierë që sillnin sasi të mëdha heroine dhe kokainë, të furnizuara nga Shqipëria dhe Holanda përmes veprimtarisë së paligjshme të anëtarëve të tjerë të shoqatës; PRESI Ergiels, FIORE Massimiliano, GANAJ Agron, KIPTIU Nuredin, BUONSANTE Andrea, MONTEDORO Giovanni, secili në mënyrë të vetëdijshme dhe aktive, kryenin funksione të ruajtjes dhe shitjes së substancës narkotike që vinte nga jashtë, për qëllime fitimi, duke pasur gjithashtu detyra të përcaktuara në marrjen e sasive të mëdha të substancave narkotike në portet e Shqipërisë dhe Holandës, duke i ruajtur dhe më pas duke i shpërndarë ato në territorin italian, si dhe duke administruar pagesat dhe logjistikën përkatëse; STERLICCHIO Michele, ZANZARELLI Giovanni, CAPUTI Francesca dhe MAZZUTI Luisa, përveçse përfshiheshin në mënyrë aktive në mbështetjen e strukturës së mësipërme kriminale dhe përfitonin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga aktiviteti i saj, ndihmonin në ruajtjen dhe përpunimin e substancave narkotike dhe vepronin si pika mbështetjeje për anëtarët e shoqatës që vepronin në territorin e provincave të Barit, Brindisit dhe Leçes;të gjithë të pandehurit, mbështeteshin në bashkëpunimin e korrierëve shqiptarë, të cilët, me dijeni për paligjshmërinë e ngarkesave, sillnin drogë të fortë në Itali përmes linjave të rregullta ndërkombëtare të transportit rrugor, duke përfituar gjithashtu nga bashkëpunimi me grupe kriminale të organizuara, që vepronin në më shumë se një shtet, siç ishin Gjermania, Belgjika, Holanda dhe Italia“.
Në përgjime, Çoba përmendet edhe me pseudonimin Bisha, ndërsa në Durrës iu sekuestrua lokali “Felix Vinum”.
Ndërkohë, që në këtë do5sje bien në sy edhe pseudonimet që ata përdornin për të mos u identifikuar nga autoritetet. Përpos, Çobës dhe Elvis Doçit, i cili thërritej “Visi i Pojës”, një shtetase italiane me emrin Francesca Caputti, njihej me pseudonimin “Gjyshja”.
Ndërsa, Nuredin Dumani, i cili në fashikujt e dosjes rezulton që të jetë dhe personi i cili ka nxjerrë “zbuluar” këtë grup kriminal, njihej me pseudonimin “Nuro”. Rigels Presi, njihej ndryshe nga anëtarët e bandës me pseudonimet Gelsi ose “Seriali”, ndërsa Ekil Nderjaku njihej me nofkën “Kili”.

Grupi u fundos nga dëshmitë e 3 të penduarve të drejtësisë, ku një prej tyre edhe Nuredin Dumani, i cili ka zbardhur rolet e çdo personi të përfshirë në këtë grup që trafikonte drogë .Dëshmitë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, përpara prokurorëve italianë kanë ofruar detja interesante për disa nga emrat më në zë të krimit, por dhe personazhe, të cilët kanë vepruar, pa u ekspozuar më parë.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, ka përshkruar aktivitetin kriminal të Xhevdet Troplinit dhe nipit të tij Elvis Doçi, i njohur ndryshe si Visi i Pojës. Sipas tij, Troplini drejton një grupet më të rrezikshëm në vend, ku nipi i tij, është po ashtu një figurë udhëheqëse.