Vrasja e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, nis gjykimi në mungesë për Bledar Jambellin 

Aktualitet

Publikuar: 20/05/2025

Vrasja e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, nis gjykimi në mungesë për Bledar Jambellin 

Në Gjykatën e Tiranës ka nisur këtë të martë procesi gjyqësor në mungesë ndaj Bledar Jambellit, i akuzuar si porositës i vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Gjatë seancës së sotme, Prokuroria paraqiti konkluzionet e saj mbi akuzat ndaj Jambellit, ndërsa u vendos që më 3 qershor, në orën 13:30, të zhvillohet seanca për paraqitjen e pretencës.

Bledar Jambelli u arrestua fillimisht në Greqi në vitin 2018, por autoritetet greke refuzuan ekstradimin dhe vendosën lirimin e tij. Ai u arrestua sërish në Athinë në vitin 2022, për një tjetër ngjarje të rëndë që përfundoi me plagosjen e pesë personave.

Vrasja e Artan Cukut ndodhi në prill të vitit 2017 në rrugën e “Kosovarëve” në Tiranë. Sipas hetimeve, Bledar Jambelli ka qenë organizatori dhe financuesi i atentatit, ndërsa ekzekutimi u krye nga Mikel Shallari, i cili u arrestua pak ditë pas krimit dhe pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë. Në këmbim të bashkëpunimit, Shallari përfitoi një ulje të ndjeshme të dënimit, duke u dënuar me vetëm 8 vite burg.

Motivi i dyshuar i vrasjes lidhet me një arrestim që Cuku i kishte bërë Jambellit në vitin 2012 për një tjetër vrasje – atë të Armando Delajt. Për këtë çështje, Jambelli u lirua nga gjykata pas dy vitesh dhe përfitoi gjithashtu dëmshpërblim prej mbi 500 mijë lekësh nga shteti për ditët e burgut.