U ekzekutua në Durrës, ky është Ermir Dedja! 29-vjeçari, pjesë e grupit Avdylaj të Shijakut

Aktualitet

Publikuar: 20/05/2025

U ekzekutua në Durrës, ky është Ermir Dedja! 29-vjeçari, pjesë e grupit Avdylaj të Shijakut

Personi që shihni në foto është Ermir Dedja pjesë e grupit Avdylaj të Shijakut që u ekzekutua në Durrës.

29-vjeçari Ermir Dedja u ekzekutua në mesnatë (rreth orës 00:50) në një atentat mafioz në qytetin e Durrësit. Dedja ndërroi jetë në spital. Vrasja e të riut ndodhi në lagjen nr.18 nga persona të maskuar, të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes me një automjet.

Emri i të riut nuk është një emër i panjohur për policinë pasi në 2015 është arrestuar, sepse i shiti drogë një grupi personash të cilët do e kalonin nga Morina drejt Kosovës.

Në 2017 Ermir Dedja ra përsëri në prangat e policisë si bashkëpunëtor i Ismail Nuredinit në një plagosje në Shijak.

Një banor i një pallati përballë vendit të ngjarjes ka deklaruar se dëgjoi breshëri arme zjarri dhe në fillim mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarrë. Nga dritarja ka parë një person të shtrirë në tokë dhe ka kuptuar se bëhej fjalë për një vrasje. Sipas tij, pak më vonë mbërritën forcat e policisë dhe më pas autoambulanca që transportoi trupin e të riut drejt Spitalit Rajonal Durrës, ku nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Nga informacionet e para, autorët kanë qenë në gjurmim të viktimës dhe pasi janë koordinuar për itenerarin e viktimës, kanë sinjalizuar njëri-tjetrin për të kryer vrasjen e tij dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes me një automjet. Viktima, me origjinë nga Shijaku, por banues në Durrës, jetonte në një banesë në lagjen nr. 11 i vetëm.