Një nga mesazhet e zgjedhjeve të 11 majit ishte shuarja e PL-së, ish LSI-së, si faktor politik. Dikur parti e tretë dhe diktuese e pushtetit, LSI-ja tashmë është zhdukur nga harta elektorale. Në Tiranë, partia e Ilir Metës ka marrë rreth 8 mijë vota, më vete të pamjaftueshme për të nxjerrë një mandat deputeti. Por, partia e Metës ka siguruar dy mandate, atë të Tedi Blushit dhe Erisa Xhixhos falë marrëveshjes me Sali Berishën, i cili i futi në listën e mbyllur.
Ilir Meta e ktheu kandidimin e tij në listën e hapur në Tiranë në një sfidë dhe referendum kundër SPAK-ut, ‘narkoregjimit’, rrëmbimit të tij, Sorosit etj., duke pretenduar se kishte me vete popullin e dy marsit. Rezultati i zgjedhjeve tregon se ‘populli i dy marsit’ është thjeshtë propagandë politike dhe se ekziston vetëm në kokën e tij. Populli i dy marsit vendosi t’a largojë nga politika dhe t’a lërë në duart e SPAK-ut.
Megjithatë, ka një skenar që Ilir Meta të marrë mandatin e deputetit, por me një sakrificë të madhe. Ilir Meta duhet të sakrifikojë Tedi Blushin dhe Erisa Xhixhon, si dhe të deklarohet grua, për të marrë mandatin e deputetit.
Fillimisht, Meta duhet të sakrifikojë Tedi Blushin, i njohur si Bilushi i Metës, të cilin e ka lënë administrator në selinë e partisë në ish Bllok, punë të cilën Bilushi e ka kryer me fanatizëm, duke ndaluar edhe Monika Kryemadhin të hyjë në ‘dyqanin’ e saj.
Ilir Meta renditet i treti në listën e hapur të PD në Tiranë. Në kryeqytet, PD-ja arriti të merrte vetëm 13 mandate, ku vetëm një kandidat në listën e hapur fiton mandatin e deputetit, konkretisht Jorida Tabaku. Pas Tabakut, renditet Ilir Alimehmeti dhe Ili Meta. Që Ilir Meta të marrë mandatin e deputetit, duhet të heqin dorë nga mandati dy kandidatë të listës së mbyllur.
Për të marrë mandatin e deputetit, Ilir Meta duhet të sakrifikojë fillimisht Tedi Blushin, i cili duhet të japë dorëheqjen. Nëse Berisha nuk largon një kandidat nga të tijët në listën e mbyllur, Ilir Meta duhet të sakrifikojë edhe Erisa Xhixhon.
Por dorëheqja e Blushit dhe Xhixhos nuk mjafton, pasi pas Alimehmetit, mandatin e deputetit në listën e hapur duhet t’a marrë një grua për shkak të kushteve të parashikuara nga Kodi Zgjedhor për respektimin e kuotës gjinore. Kështu që Meta të marrë mandatin e deputetit, duhet të japin dorëheqjen Bilushi dhe Alimehmeti, ose Bilushi, Xhixho dhe një kandidat tjetër në listën e mbyllur.
Një skenar i tillë, më shpejt se sa ulësen në parlament, do t’i jepte Metës lirinë nga paraburgimi, ku ai qëndron që prej tetorit të vitit të kaluar. Neni 71 i kushtetutës përcakton se “mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve”.
Në këtë mënyrë, Meta nuk pret konstituimin e parlamentit të ri në shtator, por e merr mandatin që me shpalljen nga Komisioni Qendror i zgjedhjeve, dhe automatikisht i hap atij dyert e qelisë.
Madje një situatë e tillë e favorizon, edhe nga një kërkesë e mundshme e SPAK-ut për autorizim për riarrestimin e tij, pasi kjo kërkesë nuk mund të shqyrtohet nga parlamenti aktual. Deri në shtator, mund të shijojë pa frikë lirinë.