Dy qendra votimi në Bashkinë Vorë kanë nxjerrë rezultatin e zgjedhjeve.
Pavarësisht se KQZ-ja ka dhënë udhëzimin që kjo të bëhet të hënën në orën 10:00, komisionerët e dy qendrave votimi e kanë printuar që pas mbylljes së procesit të votimit rezultatin zgjedhor.
Sakaq, nga rezultati i printuar në dy qendra votimi në Vorë, shihet një dominim i Partisë Socialiste, me 222 vota, ndërsa Partia Demokratike dhe koalicioni i saj kanë marrë vetëm 73 vota.
Pas publikimit të rezultatit, në Vorë nisi edhe festa me daulle dhe fishekzjarrë nga simpatizantë të Partisë Socialiste.
Blerim Shera, kryetari i Bashkisë së Vorës, gjithashtu socialist, tha se Vora ka zgjedhur Edi Ramën. “Ne kemi kohë që punojmë për këtë rezultat, nuk është rastësor”, tha ai për gazetarët.