Ja përgjigjja e DASH mbi postimin e gazetarit Marc Caputo…
Edhe pse pagoi 6 milionë dollarë, Sali Berisha u mjaftua me një postim në “X” lidhur me fatin e “non gratës” së tij.
Mediat pranë tij, befas raportuan se gazetari Marc Caputo i ishte drejtuar Departamentit të Shtetit me një pyetje nëse Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA dhe ata ishin shprehur: “Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si të tillë, nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme ose marrëdhënia me Shqipërinë të mbahen peng nga vendimet e politizuara të epokës së Bidenit”. Kjo deklaratë u interpretua si një zhbërje e “non gratës” së Sali Berishës. Vetë lideri demokrat doli dhe falënderoi DASH, teksa të njëjtën gjë bënë dhe njerëzit pranë tij. Por a i është hequr “non grata” Berishës? Në vend ka pasur shumë debate, por kush më mirë se vetë Departamenti i Shtetit mund të flasë për këtë çështje?
“Pamfleti” ju drejtua me një kërkesë DASH-it. Duke u bazuar mbi reagimin e gazetarit Marc Caputo, pyetëm zyrën e shtypit nëse i është hequr apo jo “non grata” Sali Berishës. Përgjigja e tyre ishte: “Departamenti i Shtetit nuk ka asnjë informacion të ri për të dhënë në këtë kohë mbi këtë përcaktim”. Pra DASH, nuk konfirmon, nuk mohon dhe nuk komenton mbi ndonjë përjashtim nga sanksioni ose ndryshim në statusin e tij. Me pak fjalë, përsa kohë nuk ka asnjë ndryshim nga ana e DASH, Berisha vijon të jetë “non grata”.
Pra edhe pse Berisha pagoi 6 milion dollarë, sanksioni mbetet ende në fuqi. Ai është ende te faqja e DASH dhe ajo për të cilin flet gazetari është tjetër gjë. Ai flet për raste përjashtimore vizash dhe jo për heqje sanksionimi sikundër e cilësojnë zyrtarët e PD. /Pamfleti