Një personazh, i cili dyshohet se është prestanome i Shkëlzen Berishës në konçesionin 250 milionë USD të skanimit të kontenierëve, ka marrë shërbimin e hemodializës pas përfundimit të kontratës 10-vjeçare me Spitalin Amerikan. Bëhet fjalë për dentistin Olti Peçini, pronar i Spitalit Salus, një personazh misterioz që dyshohet se ka dorë edhe në kalimin e lëndëve të paligjshme në Portin e Durrësit përmes kontrollit të skanerave.

Spitali Salus ka njoftuar publikisht në 26 prill 2025 se ka nisur të ofrojë shërbimin e hemodializës me financim nga buxheti i shtetit. Kalimi i këtij shërbimi në duart e Olti Peçinit është firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Spartak Zekja.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi mënyrën se si u përzgjodh ky spital, mbi kriteret, kushtet financiare apo mbi numrin e pacientëve që do të trajtohen. Nëse koncesioni i është hequr Spitalit Amerikan dhe i është dhënë Peçinit, apo thjesht ky i fundit ka marrë një kontratë shtesë të dyshimtë për ofrimin e këtij shërbimi.
Veprimtaria e dyshimtë e Olti Peçinit
Sali Berisha dhe Ridvan Bode, 4 prill të vitit 2013, pak para largimit nga pushteti, i dhanë kompanisë S2 ALBANIA me koncension shërbimin e skanimit të kontenierëve në dogana. Pas këtij koncensioni me vlerë 250 milionë euro është përfolur se fshihej si përfitues Shkëlzen Berisha.
Kontrata koncensionare u shpall si korruptive nga Edi Rama dhe u betua se do ta anulonte sa po të vinte në pushtet. Kur erdhi në pushtet pas disa muajsh, Edi Rama tentoi t’a anulonte koncensionin, por kompania kërcënoi se do të kërkonte 360 milionë euro në arbitrazh. Kompania kërkoi 70 milionë euro që të hiqte dorë nga koncensioni.
Kompania S2 ALBANIA është në pronësi të kompanisë Rapiscan Systems, me bazë në Kaliforni, SHBA dhe ka si me drejtore Deepak Chopra dhe Victor Sze. Asnjëherë nuk ka pasur dyshime se pas këtij koncensioni fshihen ‘ustallarët’ e Tiranës, gjithnjë të kamufluar, duke vjedhur paratë publike.
Në 16 shtator të vitit 2013, pra 4 muaj më pas, “Rapiscan” i shet 49 % të aksioneve të S2 ALBANIA kompanisë “ICMS”, për vetëm 490 lekë.
Kompania ICMS shpk zotërohet pikërisht nga mjeku Olti Peçini, një personazh i lidhur me tendera dhe koncensione në shëndetësi.
Dyshimet për këtë lëvizje u shtuan nga fakti se Olti Peçini bleu gati gjysmën e konçesionit 250 milionë USD për vetëm për 490 lekë. Duket e çuditshme se si ky transaksion paradoksal nuk ka vënë në lëvizje organet ligjzbatuese shqiptare, sidomos SPAK.
Nisur nga kjo lëvizje, SPAK duhet të shohë të gjitha lëvizjet financiare të kompanive të Olti Peçinit me subjekte të tjera, për të zbuluar se ku kanë përfunduar paratë e koncensionit të kontenierëve. Kompania amerikane kërkoi 70 milionë euro për të hequr dorë nga koncensioni, por nga ana tjetër i shet një dentisti gjysmën e koncensionit për 490 lekë.
Reagimi i Spitalit Salus
Spitali “Salus Tirana” sh.a. dëshiron të bëjë një deklaratë për të sqaruar opinionin publik në lidhje me disa informacione të pasakta për shërbimin e Hemodializës.
Spitali ynë operon në përputhje të plotë me legjislacionin aktual të Republikës së Shqipërisë dhe ofron shërbime të Hemodializës me standardet më të larta shëndetësore. Kemi një marrëveshje aktive dhe transparente me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor për dhënien e shërbimit të dializës për pacientët shqiptarë. Kjo marrëveshje nuk është një kontratë detyruese ose koncesion, por vetëm një marrëveshje e lirë, siç operojnë edhe operatorë të tjerë privatë në Republikën e Shqipërisë, për të mundësuar këtë shërbim pacientëve sipas ligjeve të Shtetit Shqiptar.
Publikime të tilla jo vetëm që dëmtojnë reputacionin tonë institucional, por thyejnë gjithashtu besimin e pacientëve dhe shkelin parimet bazë të etikës dhe së drejtës së informimit.
Ftojmë median dhe publikun të drejtohen te burimet zyrtare institucionale për verifikimin e çdo informacioni.
Me respekt, Drejtoria e Spitalit “Salus Tirana” sh.a.