Tekja e rakisë / Fushata e veçantë e Ristanit, Dajës dhe Tritan Shehut

Aktualitet

Publikuar: 03/05/2025

Tekja e rakisë / Fushata e veçantë e Ristanit, Dajës dhe Tritan Shehut

Fushata është në kulmin e saj, me një retorikë të përndezur politike, akuza, pretendime për manipulime, mosbesim, sondazhe, bullizime dhe mesazhe të koduara, por ata duket sikur jetojnë në një botë tjetër. Bëhet fjalë për Arben Ristanin, Tritan Shehun, Dashamir Shehin dhe Kujtim Gjuzin.

Ish deputeti i PD, Arben Ristani, kandidon i fundit në listën e hapur të PD në Gjirokastër. Duke mos pasur asnjë shans për t’u zgjedhur deputet, Ristani duket se ka marrë me sportivitet këtë fushatë, duke pirë raki me banorë të zonës së Zagorisë në Gjirokastër.

Tritan Shehu, i cili ka më shumë se 10 vite që ka dalë në pension, kryeson listën e PD në Qarkun e Gjirokastrës. Meqenëse PD pothuajse e ka të sigurt një mandat në këtë qark, pra madatin e Tritan Shehut, edhe ky i fundit po e kalon fushatën me raki dhe meze. Nuk ka as akuza, as premtime dhe as infiltrime në kampin e ‘armikut’, por vetëm trokitje gotash, barsaleta dhe herë pas here këngë, sidomos pas tekes së pestë.

Dashamir Shehi, i njohur si Daja, është një nga politikanët më popullorë në vend, më realistë, më të drejtëpërdrejtë dhe çuditërisht më të kthjellët, edhe nuk është më sekret lidhja e veçantë e tij me ‘teken e rakisë’. “Unë e pi e ndonjë gotë. Po më mbajti shëndeti do vazhdoj edhe ca kohë, çdo gjë është me moshë. Por njerëzve kur iu thua disa të vërteta thonë që hë ke pirë ti, po atij i djeg e vërteta”, ka pohuar Shehi kohë më parë. Këtë raport Dash Shehi duket se e ka ruajtur edhe gjatë kësaj fushate elektorale.