Sot seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit, tentativa e 10-të për Albulena Haxhiun

Rajon

Publikuar: 03/05/2025

Sot seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit, tentativa e 10-të për Albulena Haxhiun

Sot do të mbahet seanca për konstituimin e Kuvendit në Kosovë. Kjo është tentativa e 10-të pas 9 herë dështimesh. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.

Të gjitha seancat e tjera kanë dështuar pasi partitë opozitare kanë kërkuar një kandidate tjetër për kryeparlamentare dhe jo Albulena Haxhiun. Lëvizja Vetëvendosje duket se vijon të jetë e palëkundur në qëndrimin e saj që Kuvendin ta drejtojë Haxhiu, edhe pse me koston e thellimit të krizës politike.

Në seancën e 1 majit, Avni Dehari, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, por përveç LVV asnjë parti tjetër nuk ishte dakord. Madje PDK, ashtu si LDK e cilësuan të paligjshme ndërrimin e formës së votimit.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati theksoi kërkesën për votim të fshehtë dhe i bëri thirrje opozitës që të mbështesë kandidaturën e Haxhiut. Sipas tij, një votim i tillë përkon edhe me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ndihmonte në tejkalimin e bllokadës institucionale.

Megjithatë, opozita ka treguar një qëndrim të prerë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, refuzoi ftesën e dytë të Albin Kurtit për një takim konsultativ, ndërsa partitë tjera opozitare kanë bërë të qartë se nuk do ta përkrahin kandidaturën aktuale të Vetëvendosjes, përveç nëse ajo ndryshon.

Vetëvendosja ka provuar gjithashtu të sigurojë përkrahjen e disa deputetëve të pavarur dhe të minoriteteve jo-serbe. Janë raportuar përpjekje për të bindur Fatmir Limajn dhe deputeten Duda Balje, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të mbështesë kandidaturën e Haxhiut. Limaj thuhet se kërkon një marrëveshje më të gjerë për bashkëpunim qeverisës, ndërsa Balje është në bisedime për t’iu bashkuar grupit parlamentar të AAK-së.

Nëse edhe sot dështon zgjedhja e kryetares së Kuvendit, kriza institucionale mund të thellohet më tej. LVV mbetet përballë një vendimi të vështirë: të këmbëngulë në kandidaturën aktuale apo të hapë rrugë për një kompromis që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.