Si banda e Talo Çelës vijon të marrë tenderat e Elbasanit përmes Elgert Laskajt, çfarë tregojnë komunikimet në SkyEcc për ndarjen e parave publike

Krim & Korrupsion

Publikuar: 03/05/2025

Si banda e Talo Çelës vijon të marrë tenderat e Elbasanit përmes Elgert Laskajt, çfarë tregojnë komunikimet në SkyEcc për ndarjen e parave publike

Asnjë qark tjetër nuk është i kapur si Elbasani nga linjat e krimit dhe korrupsionit, të cilat kontrollojnë dhe diktojnë tenderat publikë në spitale, ujësjellës, bashki dhe çdo ent publik. Komunikimet në SkyEcc, ortakëritë me letra dhe dokumentet e tenderave janë provat që konfirmojnë kontrollin e Elbasanit nga krimi dhe korrupsioni, pavarësisht goditjes nga SPAK-u.

Referuar komunikimeve në SkyEcc, në 20 prill 2020, ushtari i Suel Çelës, Klaus Matishi (Kledian Çopja), komunikon në SkyEcc me vajzën e gjyqtares Pajtime Fetah, Megi Fetah, ku e informon këtë të fundit për ‘ndarjen e detyrave’ me Suel Çelën për kapjen e plotë të Elbasanit, duke emëruar drejtorët në polici, shëndetësi etj., duke diktuar fituesit e tenderave për anëtarët e grupit të tij kriminal, duke kontrolluar shpërndarjen e drogës dhe aktivitetet e tjera kriminale.

…Ndam ca detyra ne qytet. Sa te marojm gjygjet i kerkova spitalet e el… Do ve luanin drrejtor…Do kerkoj dhe shefin e antidrroges. Dhe toni te shasi mall per te gjith pes main. Dhe cuna tonet… Naper qytet… Megi Fetah.… pse spitalet psh? Klaus Matishi… Po atje ks gen ja di ai…Ka dhe lek… Tendera… Me mjafton per vene pune te fus njerzit e mi… Plus kush shet mali do i perzem do bim ne… Ndifmoim cunat e jon… Dhe oaquim shefin… Dhe kemi me shum kontrroll ne qytet…Se malli ka thashetheme… Plus i inkursion cunat… Knagen brin nat lek… Ngjon… Afron njerez…“.

Suel Çela në korrik të 2020 informon mikun e tij Klaus Matishin duke i thënë: ‘Do e bëjmë drejtor Luanin’, e ka fjalën për drejtorin e Ujësjellësit, Luan Tabakun, nën hetim nga SPAK-u. Më pas Suel Çela flet për të ‘tharë fondet’ publike me dorën e Tabakut.

Tenderat në Elbasan janë fituar nga Nazif Bajrami, i skeduar për trafik droge në Zvicër, Bujar Shega allias Marsel Shega, i arrestuar nga SPAK-si ‘truri financiar’ i grupit të Suel Çelës, nga Gentian Sharra, i arrestuar nga SPAK si pjesë bandës së Talo Çelës, nga Eral Myftaraj, një nukël mes krimit dhe korrupsionit, nga Nuri Balla, i skeduar për krime financiare dhe vjedhjeve të fondeve publike, nga Elgert Laskaj, ortak i Gentian Sharrës, nga Fatmir Kuçi, i proceduar disa herë dhe me të shkuar të errët etj.

Engert Laskaj, një linjë korrupsioni dhe krimi, lidhje me Gentian Sharrën e bandës së Talo Çelës

Në vitin 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda goditi një skemë të organizuar korrupsioni me tendera mes Drejtorisë së Burgjeve dhe disa biznesmenëve, të cilët sot ua kanë trashëguar këtë ‘profesion’ fëmijëve të tyre. U arrestuan Iljaz Labi, asokohe zv.drejtor i Përgjithshëm të Burgjeve, si dhe biznesmenët Elidjan Laskaj, Ylber Kalaja, Nexhmi Balla dhe Shemsi Sinani, pronarë të kompanive “Dogel”, “Vllaznia”, “M.B.Kurti” dhe “Nelsa”. Anëtarët e këtij grupi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, manipulonin procedurat, diktonin tenderat për veten e tyre dhe ndanin sipas roleve paratë publike.

Që të gjithë u dënuan nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2018. Por, asnjëri prej biznesmenëve nuk zuri mend nga burgu. Ata i kaluan kompanitë në emrin e djemve dhe kështu vijuan avazin me tenderat e furnizimit me ushqime të enteve publike. Besohet se grupi i biznesmenëve të korrutptuar u inkurajua nga lehtësia e daljes nga burgu pas arrestimit, duke blerë prokurorët e çështjes dhe gjyqtarët e masave të sigurisë.

Disa prej tyre bënë vetëm disa javë burg, deri sa gjetën linjat e duhura, duke paguar një pjesë të parave që kishin vjedhur në buxhetin e shtetit, në këmbim të daljes nga burgu, me masa më të lehta sigurie, një histori tjetër korrupsioni për të cilën do flaim posaçërisht në vijim. Nuk ka dyshim se grupi i korrpsionit, edhe pse u dënua, i shpëtoi ndëshkimit me izolim, pasi ende nuk ishte ngritur SPAK dhe GJKKO.

Pas dënimit formal me 3 vite burg (bëri vetëm disa javë burg), Elidjan Laskaj, pronar i kompanisë së ushqimeve Dogel, nisi të tërhiqej gradualisht, duke nxjerrë në skenë të birin, Elgert Laskaj, i cili bazuar në disa dokumente dhe transaksione është derivat dhe mbulesë e anëtarit të bandës së Talo Çelës, Gentian Sharra, i arrestuar nga SPAK për krime të rënda.

Pas dënimit për korrupsion, përmes kompanisë Dogel, biznesmeni Elidjan Laskaj, gjatë pesë viteve të fundit, ka marrë rreth 1 milionë euro para publike për furnizim me ushqime, pasi në të njëjtën kohë nisi të merrte miliona euro i biri me kompaninë tjetër Gerti 1987 shpk, duke përdorur linjat e konsoliduara të babait si dhe kompaninë Dogel.

Elgert Laskaj e mori në dorë kompaninë Gerti 1987, nga prindërit e tij, në shtator të vitin 2018, dy muaj pasi u dënua për korrupsion babai i tij Elidjan Laskaj (korrik 2018). Kompania kishte si objekt tregtimin e pjesëve të këmbimit të automjeteve, por rrugës shtoi edhe shërbimin katering, si kompania Dogel.

Dhe kështu Elgert Laskaj u hyri tenderave, këtë herë me një dorë të fortë nga pas, Gentian Sharra, një figurë e njohur e krimit në Elbasan. Deri më sot ka marrë rreth 18 milionë euro tendera publikë, i vetëm dhe në bashkëpunim, madje në bashkëpunim me kompanitë, me të cilat kishte bashkëpunuar babai i tij para vitit 2016, për ndarjen e parave të burgjeve.

Në të njëjtën formë si tenderat e burgjeve deri në vitin 2016, Elgert Laskaj, në 11 korrik 2024, dyshohet se ka fituar tenderin me vlerë 4.5 milionë euro, për shërbimin e gatimit dhe shpërndarjen e ushqimit, për Spitalin psikiatrik “DR. Sadik Dinci”, Elbasan, një tender ky në formë koncensioni, pasi këtë shërbim Laskaj do t’a ofrojë për 4 vite.

Drejtori i spitalit është shtetasi Zenun Bullari. Ky i fundit ka qenë drejtor i AKU në Elbasan.

Tenderi plotëson të gjitha elementët që ngrenë dyshime të arsyeshme për një skemë korrupsioni; Mungesë konkurrence. Oferta fituese është gati sa fondi limit, që tregon për një pazar të mundshëm mes autoritetit kontraktor dhe operatorëve fitues.

Kompania e dytë fituese, Dajti Park 2007, në fakt është kompania Vllaznia e Ylber Kalasë, i cili u dënua në 2018 si pjesë e grupit të korrupsionit me Elidjan Laskaj. Fillimisht kompania e kishte emrin ‘Qefalia’ pasi ishte në pronësi të vëllezërve Qefalia, me influencë në zonën e Dajtit. Më datë 13.01.2004, u ndryshua emri i shoqërisë nga “QEFALIA” sh.p.k në “VLLAZNIA” sh.p.k.

Më 11 korrik 2016 është arrestuar Ylber Kalaja për korrupsion me tenderat, përmes kompanisë Vllaznia. Nëntë ditë më pas ka ndryshuar emri i kompanisë nga Vllaznia në Dajti Park 2007.

Pas dënimit, Ylber Kalaja, në dhjetor 2018, i dhuron 50 % të aksioneve të kompanisë Dajti Park 2007 të birit Desart Kalaja dhe 50 % biznesmenit Lulzim Qefalia, i njohur si beu i ish Komunës së Dajtit.

Faktet tregojnë se bashkëpunimi korruptiv mes Ylber Kalasë dhe Elidjan Laskajt, me kompanitë Vllaznia dhe Dogel në vitin 2016 për vjedhjen me tendera, vijon sot nga djemtë e tyre Desart Kalaja dhe Elgert Laskaj me tenderat për ushqimin e spitaleve dhe burgjeve.

Lidhjet e Gentian Sharrës me Elgert Laskajt

Shërbimi katering në Elbasan ishtë kthyer në monopol i Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës, deri kur u godit nga SPAK-ut. Sharra, i dënuar më parë për trafik droge, autor i disa grabitjeve, përfshirë edhe grabitjen e Rinasit, kishte kapur tenderat përmes bashkëshortes së tij, Olta Sharra, si person fizik me nipt L32517203Q.

Pas goditues së Gentian Sharrës, tenderat e furnizimit me ushqim në Elbasan po i mer Elgert Laskaj, i cili është ortak me Gentian Sharrën në kompaninë MPED-XH GROUP. Për shkak të njollave kriminale, Sharra, edhe në këtë kompani, përfaqësohet nga bashkëshortja.

Ky dokument konfirmon përtej çdo dyshimi ortakërinë në biznes të Elgert Laskajn me Gentian Sharrën. Jo vetëm kaq. Elgert Laskaj dhe Gentian Sharra kanë fituar tendera bashkë.

Një tender korruptiv, me vlerë 1.5 milionë euro dhe me ofertë gati sa fondi limit, e kanë marrë në 30 qershor 2020, për furnizim me ushqime të Drejtorisë së Burgjeve.

Këtë tender Laskaj dhe Sharra e kanë marrë nga Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara kur drejtohej nga Edlira Naqellari, e arrestuar nga SPAK dhe e dënuar për korrupsion me tendera.

Tenderin e ka marrë pikërisht në bashkëpunim me Gentian Sharrën, i akuzuar nga SPAK për disa grabitje me armë me Talo Çelën, i hetuar në Itali për trafik droge dhe në Shqipëri për heqje të paligjshme të lirisë, plagosje e lehtë me dashje dhe korrupsion zgjedhor.

Ndërkaq, mes kompanisë së Laskajt dhe Sharrës ka transaksione financiare. Pasi Laskaj fiton tenderat me ndërhyrjen e dyshuar të Gentian Sharrës, produket ushqimore i mer pikërisht nga biznesi i Sharrës, duke i kaluar kështu paratë publike. Ky raport i faktuar e bën Elgert Laskajn subjekt të ligjit anti-mafia dhe të SPAK-ut.