Ka dyshime të forta se pas kontratës 6 milionë USD për t’i hequr nongratën Sali Berishës, kamufluar me fondacionin fantazmë MAGA të tropojanit Nuredin Seci, qëndron Shkëlzen Berisha, me çantat me para që ka përfituar nga pushteti i babait në qeverisje dhe opozitë, oligarkët, bosët e bixhozit, ndërtimi etj. Ky personazh ka rezultuar pas çdo afere të madhe të Sali Berishës, përfshirë pronat, koncensionet, Gërdecin dhe çështjen CEZ, ku sekseri i tij nxori me çanta brenda ditës jashtë kufirit 6.8 milionë euro. Dhe afera 6 milionë USD duket se nuk përbën përjashtim.
Djali i Nuredin Secit, Valdrin Seçi, drejtues i një fondacioni misterioz në Tropojë, njihet si lidhje e ngushtë dhe e besuar e Shkëlzen Berishës. Dyshimet janë të forta se Shkëlzeni po i kalon paratë e pista në fondacionin fantazmë MAGA me në krye babanë e Valdrin Secit, Nuredin Seci, për të paguar kompaninë lobuese, në shkelje flagrante të ligjit, i cili ndalon financimin e partive politike nga jashtë dhe në asnjë rast jo më shumë se 1 milionë lekë.
Në deklaratën e Nuredin Secit për një emision televiziv, e cila besohet se ka dalë nga studioja ligjore e Argita Malltezit, pasi ishte reflektim i qëndrimeve të Berishës disa orë më parë, thuhet se “ofroj mbështetjen time financiare për opozitën shqiptare“. Edhe pse në kontratën e dyshimtë, Nuredin Seci del si garantor, pra nëse PD-ja nuk i siguron lekët, ai thotë se është financuesi. Garantori ngarkohet me detyrimin financiar vetëm nëse pala kontraktuese nuk përmbush detyrimin, siç operohet në kredimarrje. Por, Seci, ish elektriçist dhe ish-punonjës i Post-Telekomit në Tropojë në kohën e diktaturës, sot pensionist në Clifton, Nju Xhersi, thotë se është financues.
Nuredin Seci flet më tej për “fondacionin që drejtoj, përmes të cilit ndihmoj familje me fëmijë të spektrit autik në Shqipëri“. Ky fondacion me veprimtari më shumë në letër në fakt drejtohet nga djali i Nuredin Secit, Valdrin Seci. Djali 32-vjeçar i Nuredin Secit, ka fondacionin e “Seci Foundation”, i cili thotë se ka dy qendra për fëmijët me autizëm në Shqipëri, një në Tropojë dhe një në Tepelenë.
Valdrin Seci njihet vetëm për lidhjen me një personazh të showbizzit shqiptar, Agnesa Hadërgjonaj dhe jetën luksoze që bëjnë. Hadërgjonaj e promovon fondacionin Seci edhe në rrjetet sociale. Ka dyshime të forta se ky fondacion mund të jetë një derivat i fondacionit të Liri Berishës ‘Fëmijët Shqiptarë’, me të njëjtin mision.
Ndërkaq, “Make Albania Great Again”, fondacioni në SHBA që ka marrë përsipër të mbulojë deri 6 milionë dollarë, pagesa për lobimin e partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara, është vetëm një organizatë e familjes së Nuredin Secit. Fondacioni u themelua në 27 mars 2025, vetëm pak ditë para se të firmoste kontratën, ndërsa anëtarët e Bordit Drejtues të këtij fondacioni janë Nuredin Seci, Valdrin Seci, djali i tij dhe Ajshe Seci, bashkëshortja e Nuredinit.
Pra, asnjëri nga fondacionet nuk ka lidhje me patriotët shqiptarë, por me familjen Seci, kamuflim i familjes Berisha.
Në New Jersey rezultojnë disa firma në pronësi të familjarëve të Nuredin Secit, si “Seci Construction, Inc” me pronar nipin e tij Akil Seci biznes i cili është bërë dhe objekt i autoriteteve hetuese në SHBA. Akil Seci, i cili drejton kompaninë e ndërtimit “Seci Construction, Inc” me bazë në Clifton, është tashmë i skeduar nga drejtësia amerikane për aktivitete kriminale financiare dhe mashtrime me partnerë biznesi, investitorë dhe furnitorë. Ai rezulton i arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga gjykata penale Bradshaw e shtetit të Nju Xhersit. Ndërsa Valbona Seci, agjente imobiliare, e cila realizoi dhe shitjen me 2 milionë dollarë të vilës që raportohet si selia qendrore e “Make Albania Great Again”, punon për “Fair Lawn”, edhe kjo kompani po ashtu me probleme ligjore, pasi dyshohet se përdoret si platformë “lavatriçe” për pastrimin e parave të ardhura nga aktivitete të paligjshme.
Ndërkaq, firmosësi i kontratës në emër të PD, Flamur Noka, në një dalje televizive, tregoi se as që e dinte se çfarë kishte firmosur. Me shumë gjasa, atij i është thënë se duhet të kalonte pak nga studioja e Argitës për të firmosur diçka si sekretar i përgjithshëm i PD-së.
Krahas deklaratës së Nuredin Secit, hetimet e SPAK i ndihmon edhe deklarata e Sali Berishës, me disa elemente mashtrimi. Berisha tha se fondacioni MAGA është krijuar nga “patriotë shqiptarë që duan që PD të ketë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA…“. E vërteta është se MAGA është një fondacion familjar, i themeluar 7 ditë para firmosjes së kontratës.
Berisha deklaroi se partia e tij nuk është palë kontraktuese, por Fondacioni. E vërteta është se PD është palë kontraktuese dhe se në emrin e saj ka firmosur Flamur Noka, ndonëse në këtë rast palë faktike kontraktuese është Familja Berisha.
Berisha mohoi që kontrata e lidhur me shpejtësi, brenda pak ditësh që nga momenti i krijimit të Fondacionit. E vërteta është se kontrata është firmosur shtatë ditë pas krijimit të fondacionit. Sa i takon, pagesës, Berisha tha se kontrata mund të ndërpritet, duke shtuar se “nuk mund të flasësh as për 100 mijë apo 200 mijë”, u shpreh Berisha. E vërteta është se 750 mijë USD janë paguar parapakisht.
Në çdo rast, ligji për partitë politike dhe Kodi Zgjedhor parashikon që dhuruesi duhet të identifikohet qartë, paratë duhet të kalojnë në llogarinë e partisë, nuk pranohen donacione mbi 1 milionë lekë dhe nuk pranohen donacione nga jashtë. Ky terren paligjshmërie duket se shpjegon edhe histerizmat ndaj SPAK pas njoftimit për nisjen e hetimeve.