Zgjedhjet parlamentare të 11 majit kanë nxjerrë në pah një poshtërim në përmasa të paimagjinueshme të Monika Kryemadhit. Nën masë sigurie për korrupsion dhe pastrim parash, me një pjesë të pasurive të sekuestruara, jashtë listave dhe me ish bashkëshortin në burg, zonja Kryemadhi ka nisur të mbledhë vota nëpër Tiranë për të bërë Tedi Blushin deputet. Në një lagje të Tiranës, Monika Kryemadhi kërkon vota që shkojnë për Tedi Blushin, ndërsa ky i fundit shfaqet disa metra larg duke pirë raki.
Zonja Kryemadhi i kërkon votat për Ilir Metën, i cili kandidon në listë të hapur, por votat shkojnë fillimisht për mandatin e Tedi Blushit në listën e mbyllur, i vendosur nga Ilir Meta.
“Po bëj fushatë dhe nuk do të ndalem deri në 11 Maj dhe është hera e fundit e imja, për t’i dhënë çdo votë Ilir Metës sepse ajo që kam kuptuar është që largimi që kemi bërë nga elektorati është që njerëzit e duan Ilir Metën dhe janë mirënjohës“, ka pohur Kryemadhi.
Sipas sondazheve, Ilir Meta, pavarësisht numrit të votave që mund të mbledhë, mund të mos dalë deputet, por Tedi Blushi, i njohur si Bilushi i Metës, që po ‘bën fushatë’ duke pirë raki, e ka siguruar mandatin.
Dikur Tedi Blushi, si çirak i Metës, i mbante çadrën dhe i hapte derën zonjës Monika Kryemadhi. Sot Tedi Blushi i kërkon Monika Kryemadhit të identifikohet dhe të paraqesë kartën e identitetit për të hyrë në dyqanin e saj në ish Bllok, selinë e LSI-së.
“Po hyrja në seli na është ndaluar me kohë ne, që para Konventës. Bile jo vetëm mua, por të gjithë duhet të hyjnë me kartë identiteti“, ka pohuar Kryemadhi.
Sigurisht që zonja Kryemadhi nuk po poshtërohet nga Bilushi i Metës, por nga Ilir Meta, i cili duket se nuk ia fal Monikës gabimin e mosasgjesimit të disa telefonave që u zbërthyen nga SPAK. Meta po hakmerret ndaj Monikës duke përdorur Bilushin si thupër. Nga ana e tij, Bilushi po tregohet i pamëshirshëm. Teksa Monika mbledh vota për të, Bilushi ka porositur rojen te dera e selisë që të zbatojë protokollin nëse Monika shfaqet për të hyrë brenda.
Ditën e djeshme, Monika Kryemadhi akuzoi Bilushin e Metës se nga një person i pastrehë në Tiranë, ka bërë tre vila, gruan e ka drejtoreshë te Ulsi Manja dhe vjehrrin nëndrejtor burgu.
“Tedi Blushi është njeriu më i lumtur në botë sot. Deputet është, gruan e ka drejtoreshë te Ulsi Manja, vjehrrin e ka nëndrejtor te spitali i burgut, me tri shtëpi është sot, kur ka qenë pa shtëpi. Nuk ia ka bërë pushteti këto shtëpi, por shkatërrimi i partisë. Tedi Blushi e shkatërroi partinë.”, tha Kryemadhi.
Zonja Kryemadhi është detyruar nga Ilir Meta të mbledhë vota për mandatin e një personazhi që e akuzon se i ka shkatërruar partinë e saj familjare, se nuk e lejon të hyjë në seli dhe se ka bërë tre vila si çirak i ish burrit të saj, në një kohë kur SPAK i ka sekustruar vilat e saj.