Sali Berisha thotë se gjithë bota po pret fitoren e tij dhe Partisë Demokratike, në 11 maj.
“Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, e gjithë bota pret fitoren e PD, me besimin se, nën drejtimin e kësaj force politike, do të bëhet realitet anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, tha Berisha.
“Prej dy ditësh, gjendem në Valencia, në punimet e Kongresit më të rëndësishëm që mbahet sot në Europë, Kongresit të PPE, në të cilin marrin pjesë, de facto, udhëheqja më e rëndësishme e kontinentit, kancelari Merz dhe 14 kryeministra të vendeve europiane, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe një numër i konsiderueshëm komisionerësh, kryetarja e Parlamentit Europian, znj.Metsola, dhe një numër i konsiderueshëm europarlamentarësh marrin pjesë nga delegacionet e të gjitha partive të qendrës së djathtë të Europës, të cilat janë të anëtarësuara në PPE.
Gjatë punimeve të këtij kongresi që i kushtohet kryesisht ndryshimeve të mëdha në Europë dhe në botë të sotme, unë pata rastin, përveç fjalës sime, në të cilën u përqendrova tërësisht në situatën në Shqipëri dhe paraqita para audiencës më të madhe europiane, të vërtetën e trishtë të narkoshtetit të vetëm dhe të parë në Europë, që është narkoshteti i ndërtuar nga Edi Rama, në Shqipëri.
Diskutova gjerësisht përpjekjet e tij për të shndërruar zgjedhjet në fasadë, si dhe dhunën mbi terrorin politik që ai ushtron ndaj forcave opozitare, me qëllimin e vetëm për të marrë një mandat të katërt.
Mendoj se, fjala, vërtet u prit shumë mirë dhe pati një impakt të fuqishëm pozitiv. Kështu që, unë mendoj se bëra si duhet detyrën para popullit opozitar shqiptar, por edhe para çdo shqiptari, pasi këto të vërteta duhet të dihen dhe të luftohen. Është interesi ky, më i mirë i të gjithë shqiptarëve”, tha ai.