“Si mundet të quash normale që zonja e kryebashkiakut të ketë 867 mijë euro vetëm blerje online, pa llogaritur blerjet nëpër dyqane që nuk janë regjistruar? …Treçereku juaj do të fshihet nga lista e politikës, por këta do të fshihen nga jeta shoqërore se do të shkojnë të gjithë atje, te lali vjedhësi dhe do të detyrohet të shtrëngojnë sapunin me radhë të gjithë“.
Ky ishte paralajmërimi i Flamur Nokës për ministrat dhe deputetët e PS, në seancën parlamentare të 17 shkurtit, gjashtë javë pasi të hidhte firmën e tij në kontratën 6 milionë USD të lobimit për t’i hequr njollën nongrata Berishës. Duke ngritur zërin për 867 mijë euro të pretenduara të Ajola Xoxës, Noka tha se treçereku i socialistëve do të ‘shtrëngonte sapunin’, pra që do të përfundonin në burg.
SPAK ka nisur hetimet për kontratën, e cila u mbajt e fshetë nga Sali Berisha, por që u zbulua nga mediat dy ditë më parë, më konkretisht nga gazetari Klodian Tomorri. Të dhënat e para flasin për një aferë korruptive të guximshme, e cila reflekton arrogancë, dëshpërim dhe mungesë të thellë respekti për ligjet vendase. Kontratën e errët me vlerë 6 milionë USD, ku të paktën 750 mijë USD janë paguar tashmë, e ka firmosur Flamur Noka, i cili ka edhe një dosje të hapur në SPAK për pastrim parash.
-Garant për kontratën 6 milionë USD ka dalë Nuredin Seçi, një 72-vjeçar nga Tropoja, ish elektriçist dhe ish aplinist, me banim në SHBA, pa historik biznesi dhe me një pasuri modeste.
-Nuredin Seçi është kordinator formal dhe pa të drejtë rroge i Gazetës Alpet për New Jersey. Vetë gazeta kërkon abonime me nga tre mijë lekë për shkak të mungesës së burimeve.
-Shoqata MAGA që do të mbledhë paratë nuk ekziston. Shoqata figuron vetëm në rrjete sociale me rreth 200 ndjekës.
-Kodi Zgjedhore, neni 192/1 ndalon financimin e partive politike nga subjekte të huaja.
-Kodi Zgjedhore, neni 192/1 ndalon financimin e partive politike nga subjekte në vlerë më shumë se sa 1 milionë lekë.
-Ligji për partitë politike, neni 23/1 detyron partitë politike të indentifikojnë çdo person fizik apo juridik që i dhuron para. Emri i çdo personi fizik apo juridik që dhuron më shumë se sa 100 mijë lekë, duhet të bëhet publik.
SPAK ka njoftuar zyrtarisht se ka nisur hetimet. Krahas verifikimive për thyerjen e ligjeve shqiptare, SPAK pritet t’u drejtohet për ndihmë autoriteteve amerikane, përmes letërporosive, për të hetuar rreth shoqatës MAGA, aktivitetit të Nuredin Peçi, kontributorëve të pretenduar dhe veprime të tjera hetimore.