Habit Mul Noka, premton se pas 11 majit do sekuestrojë vilën e tij në Gjirin e Lalzit, në garë me SPAK kush do t’i vërë shiritin i pari

Krim & Korrupsion

Publikuar: 25/04/2025

Habit Mul Noka, premton se pas 11 majit do sekuestrojë vilën e tij në Gjirin e Lalzit, në garë me SPAK kush do t’i vërë shiritin i pari

Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka tha dje nga Paskuqani se me sekustrimin e pasurive të politikanëve të korruptuar pas 11 majit do rriten rrogat dhe pensionet.

Zero tolerancë krimit, korrupsionit, sekuestro të gjithë pasurive të të kusarëve të pushtetit dhe aty dalin pensionet, rrogat, minimum jetik, investimet“, tha Noka.

Referuar akuzave të Gaz Bardhit dhe disa dokumenteve, Noka konsiderohet si pjesë e politikanëve të korruptuar dhe që kanë vila në emrin e oligarkëve. Është e provuar se vëllezërit e Nokës kanë përfituar apartamente në Sarandë kur Noka ishte pjesë e Entit të Banesave gjatë qeverisjes së PD. Kur Berisha e bëri disa muaj ministër të Brendshëm, Noka zgjati koncensionin e pasaportave, i cili po hetohet nga SPAK. Madje, SPAK ka sekuestruar edhe dosjen e këtij koncensioni.

Ndërkaq, me një apartament modest 83 m2, Noka e shiti dhe bleu një shtëpi 190 metra katror, në katin e dytë të pallatit të kuq tek Liqeni Artificial i Tiranës dhe dy vende parkimi. Noka ka blerë 794 euro metrin katror, ndërkohë që vlera është mbi 5 mijë euro m2. Pasuria sot kushton rreth 1 milionë euro.

Por, sipas Gaz Bardhit, Noka ka edhe një vilë në Gjirin e Lalzit, me vlerë 750 mijë euro, të fshehur në emrin e një biznesmeni. Vila po verifikohet nga SPAK në kuadër të një hetimi që ka hapur për Flamur Nokën.

Në këto rrethana, deklarata e Nokës është interesante, pasi duke imituar me gjeste dhe retorikë Doktorin, ‘premton’ se do të sekustrojë vilën e tij pas 11 majit, gjithnjë nëse SPAK nuk do t’a ketë sekustruar deri atëherë.

Për sekustrimin e vilave të pushtetarëve socialistë,Noka e kishte mundësinë t’i sekustronte kur ishte ministër, ndërsa pasuritë e paligjshme që i kanë krijuar pas 2013, po i sekustron SPAK-u, të cilin Noka, duke imintuar Doktorin, e konsideron organizatë kriminale.