Afera ‘Partizani’/ Avokatët kërkojnë pavlefshmëri të provave të SPAK, GJKKO tërhiqet për vendim! Pritet të vendoset nëse Berisha dhe Malltezi do kalojnë për gjykim

Aktualitet

Publikuar: 23/04/2025

Afera ‘Partizani’/ Avokatët kërkojnë pavlefshmëri të provave të SPAK, GJKKO tërhiqet për vendim! Pritet të vendoset nëse Berisha dhe Malltezi do kalojnë për gjykim

Pas 6 muajsh zvarritjesh të aferës Partizani, pritet të ketë një vendim për kalimin ose jo për gjykim të dosjes. Në seancën paraprake në GJKKO ishin të pranishëm avokatët mbrojtës të të gjithë të akuzuarve, përfshirë edhe avokatin Luan Hasneziri, përfaqësuesi ligjor i kompanisë “Homeplan”, i cili në seancën e fundit mungoi për arsye shëndetësore. Sot ai përfundoi deklarimet e tij, ndërsa mbrojtja ka kërkuar pushimin e çështjes dhe pavlefshmërinë e disa provave të paraqitura nga SPAK.Lidhur më kerkesën e avokatëve mbrojtës, GJKKO është tërhequr për vendim. Tashmë pritet të ketë edhe një vendim në lidhje me kalimin ose jo për gjykim të Sali Berishës, dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe tre të pandehurve të tjerë. Kjo seancë shënon plot 6 muaj që nga mbajtja e seancës së parë paraprake në 24 tetor të vitit të kaluar. Gjatë kësaj periudhe, procesi është zvarritur vazhdimisht përmes justifikimeve të ndryshme, përfshirë mungesën e avokatëve dhe leximit të qindra faqeve në seanca. Fenomeni është denoncuar edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili gjatë raportimit të tij para Këshillit të Lartë të Prokurorisë shprehu shqetësimin, duke theksuar se ndonëse ligji parashikon një muaj,  brenda një muaji, ka raste që zvarriten për 6 deri në 9 muaj.

Kalimi i kësaj dosjeje për gjykim do të shënonte përballjen e parë të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit me drejtësin. Ish-kryeministri ndodhet aktualisht në masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa dhëndri i tij është nën “arrest shtëpie” për akuzat korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.

Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’, si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Dosja ‘Partizani’, të pandehurit:

-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.

-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal

-Fatmir Bektashi – Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe ‘pastrim parash’

-Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’  akuzohet për ‘Pastrim Parash’

-Andia Pustina – Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k –  Akuzohet për ‘Pastrim Parash’ 

/shqiptarja.com