Një vendim historik për zhvillimet demokratike në Shqipëri, për lirinë e medias, lirinë shprehjes dhe raportimit, për shenjtërinë e burimeve të gazetarit. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në unanimitet, ka vendosur të rrëzojë SPAK-un, GJKKO, Apelin e GJKKO dhe Gjykatën e Lartë për rastin e gazetarit Elton Qyno. Kushtetuesja ka shpallur të paligjshme dhe antikushtetuese reprezaljen e SPAK dhe BKH ndaj Elton Qynos, sekustrimin e telefonave dhe sendeve të tjera, me qëllim për të zbuluar burimin e informacionit për disa komunikime në SkyEcc. Kushtetuesja ka hedhur poshtë si të paligjshme edhe vendimet e gjykatave, të cilat noterizuan veprimet e SPAK-ut.
Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin është një nga garancitë kushtetuese. Gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar se përse u përdorën mjete të tjera për të zbuluar burimin. Sipas vendimit unanim, bie sekuestrimi i mjeteve të punës ndaj gazetarit, sepse siç vlerëson gjykata nuk ishte kjo mënyra për të zbuluar burimet e gazetarit.
Vendimi është një shuplakë për kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, i cili është frymëzuesi dhe urdhëruesi i yryshit ndaj gazetarit Elton Qyno, thua se gazetari ishte Durim Bami apo Nuredin Dumani. Vendimi është një goditje edhe për mëkëmbësin e Dumanit, Ols Dado, të cilin Dumani e caktoi prokuror të çështjes kundër Qynos dhe për të mbrojtur veprimet e SPAK në Kushtetuese.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese
Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.
Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë.
Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.
Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së.
Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit.
E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias.
Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë.
E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.
Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore, të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit.
Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik.
Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale.
Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit, si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim.
Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit.
Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).
Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.
Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme.