Berisha sot në SPAK për masën detyrim paraqitjeje, militantët mobilizon para Prokurorisë së Posaçme

Aktualitet

Publikuar: 21/04/2025

Berisha sot në SPAK për masën detyrim paraqitjeje, militantët mobilizon para Prokurorisë së Posaçme

Ditën e sotme do të shkojë kreu i PD, Sali Berisha do shkojë në SPAK për zbatimin e masës “detyrim paraqitjeje” lidhur me aferën Partizani.

Berisha ka urdhëruar militantët që të dalin në mbështetje të tij. Kreu i PD pritet të shkojë në Prokurori në orën 09:00, por në mesazhin drejtuar strukturave të partisë që të jenë prezente në dyert e Prokurorisë që në orën 08:30. 

“Të dashur miq. Nesër ditën e Hënë në orën 8:30 Kryetari i PD Sali Berisha do të jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty”, thuhej në mesazhin dërguar strukturave.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që militantët urdhërohen që të dalin në mbështetje të tij gjatë paraqitjes në Prokurori, pasi kanë qenë të pranishëm edhe herë të tjera. 

Berisha u lirua në 27 nëntor 2024 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, në akuzën si i përfshirë në dosjen “Partizani”. Por Gjykata e Apelit të Posaçëm vendosi detyrim paraqitje dy herë në muaj për të. Ish-kryeministri është i pandehur për korrupsion pasiv dhe akuzohet se lejoi një zinxhir të tërë institucionesh që të shkelnin ligjin duke ua dhënë kompleksin Partizani ish-pronarëve, ku përfituesi kryesor është dhëndri i tij, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh, duke u siguruar një fitim miliona euro nga ky biznes që nisi me paligjshmëri. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. 

Dosja ‘Partizani’, e cila pritet të kalojë për gjykim, ka mbetur peng për shkak të seancave që shtyhen prej rreth 6 muajsh. Për shtyrje të vazhdueshme janë bërë makinacione të ndryshme, me mungesa avokatësh apo edhe lexime të qindra faqeve në seanca.

Në seancën e fundit, të pandehurit kërkuan që të shtyhej për shkak të raportit mjekësor të avokatit Luan Hasneziri, mbrojtës i kompanisë “Homeplan”, por kjo nuk u pranua nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Ajo vendosi zëvendësimin e Hasnezirit me një avokat kryesisht, Pranvera Daci, në prani të së cilës u bënë qëndrimet e prokurorëve dhe prapësimet e mbrojtësve të tjerë.

Vetëm për prapësimet e ‘Homeplan’ do të pritet avokat Haznesiri dhe për këtë është përcaktuar seanca e 23 prillit ora 13:00, e cila pritet që vërtet të jetë e fundit, dhe gjyqtarja të mund të tërhiqet për një vendim.