Një atentat me 4 të plagosur tronditi kryeqytetin mbrëmjen e djeshme, ndërsa siç është raportuar edhe më herët besohet se autorët kanë ngatërruar shënjestrën.
Shënjestër e atentatit nuk kanë qenë familjarët e “Pelikani Security”, por plumbat ishin nisur Katerina Beqo, gruaja e Roan Brahimit, babai i të cilit u eliminua ditën e djeshme në Lezhë, vetëm 45 minuta përpara se të ndodhte atentati ndaj 4 të rinjve.
Sipas raportimeve, gruaja e Roan Brahimit jeton në të njëjtën lagje në kompleksin e vilave në Lundër ku jetojnë edhe të rinjtë që u plagosën mbrëmë.
Po ashtu kjo e fundit përdor të njëjtin model makine si mjeti me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë mbrëmë. Targa e makinës së gruas së Roan Brahimit ka një numër ndryshe dhe një gërmë ndryshe nga targa e mjetit ku ndodheshin të rinjtë. Natën e kaluar ajo ka qenë në Pllanë të Lezhës ku iu vra vjehrri.
Hetuesit janë të bindur që atentati ka qenë ngatërrim shenjestre dhe po hetojnë disa pista të ngatërrimit të shënjestrës, ndërsa kanë dyshime që autorët mund ta kenë pritur që gruaja e Brahimit të kthehej në Tiranë dhe mund të kenë ngatërruar makinën Mercedes-Benz G Class dhe kanë hapur zjarr.
Si nisi armiqësia mes Roan Brahimit dhe Ervis Martinajt
Roan Brahimi, i njohur edhe me emrin Sidorel Prendi nga Pllana e Lezhës, u ekzekutua me armë zjarri në një atentat mafioz mbrëmjen e 9 majit 2024 në Athinë në sy të gruas dhe djalit të tij. Se kush fshihet pas atentatit të Roan Brahimit nuk dihet, por dyshohet se është porositur nga ushtarët e Ervis Martinajt për hakmarrje. Pasi Brahimi dyshohet se ishte ai që porositi vrasjen e Brilant Martinajt, kushëririt të Martinajt.
Armiqësia duket se nisi vite më parë, ku Brahimi, apo siç njihej ndryshe, Sidorel Prendi, u dhunua dhe denigrua nga Brilant Martinaj. Thuhet se ai i urinoi në fytyrë, akt ky që Roani nga Pllana e Lezhës, nuk e harroi kurrë. Ngjarja ndodhi për një borxh bixhozi të cilin Brahimi nuk e shleu. Ylli Brahimi në rreth miqësie me Brahimin, e dërgoi atë në një nga bazat afër Fushës Kuqes, ku ishin Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij të besuar. Me daljen e tij gjallë nga aty, asokohe thuhet se Roan Brahimi paralajmëroi Ylli Brahimin: Nuk ta fal kurrë atë që më ke bërë!
Brahimi u bë i dyshuar për disa atentate të bujshme, mes tyre edhe masakra e Fushë Krujës, ku u vranë Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Ngjarja ndodhi më 17 korrik 2022 dhe dyshohet se atentati u porosit dhe u organizua nga Roan Brahimi për eliminimin e Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.
Më 22 korrik 2022, në Milot, u organizua një atentat ndaj Ylli Brahimit, krahu i djathtë i Ervis Martinajt, ku mbeti i vrarë Klisman Preçi. Edhe për këtë ngjarje, Brahimi u dyshua si organizator.
Roan Brahimi dyshohet të ketë lidhje edhe me vrasjen Gentjan Bejtjes në 15 mars të 2024 në Larushk të Krujës. Një nga personat e arrestuar nga policia si transportues i vrasësve, Ilir Beqaraj, rezulton të ketë lidhje miqësore me të, konkretisht kunat me Roan Brahimin. Ky i fundit, në bashkëpunim me grupin e Niklës, ka dyshime të forta se kanë bashkëpunuar për të kryer këtë atentat, e po ashtu dyshohen të përfshirë edhe në disa ngjarje të fundit të ndodhura në Kurbin dhe Lezhë. Ata mendohet të kenë qenë financues dhe organizator, për të goditur grupin rival të Ervis Martinajt. Për vrasjen e Gentjan Bejtjes dyshohet se pajtuan qitës nga Vlora.
Brahimi u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Dubai. Megjithatë, më 9 maj 2024, ai u vra në Athinë nga dy persona të maskuar me motor, ndërsa ishte me partneren dhe djalin e tij të mitur.