Në dy raportet për veprimtarinë vjetore të SPAK-ut, 2023 dhe 2024, Altin Dumani ka ngritur shqetësimin për mungesën e denoncimeve në SPAK nga degët dhe nëndegët e qeverisjes, sidomos nga doganat, tatimet, Policia e Shtetit etj., ndërsa ka rritje të denoncimeve nga publiku. Ky tregues reflekton frikën e pushtetit nga SPAK dhe rritjen e besimit të publikut te SPAK. Ndërkaq, denoncimet mediatike, me evidenca konkrete, janë një tjetër burim për SPAK për regjistrimin e procedimeve penale për korrupsion dhe pastrim parash.
Sot po sjellim në vëmendje të SPAK dhe publikut dy afera flagrante, të pashqyrtuara nga drejtësia, me protagonist ish ministrin Niko Peleshin, me pasoja në shëndetin e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit.
Në vitin 2019 u zbuluar se Niko Peleshi, kur ishte ministër i Bujqësisë, me një urdhër të firmosur prej tij, hoqi bllokimin për helmin bujqësor silikon mix, duke lejuar 4600 litra kimikate që të përdoreshin nga fermerët, ndonëse AKU e kishte bllokuar si të rrezikshëm.
Për të futur helme bujqësore në Shqipëri duhet marrë një leje e posaçme, e cila kërkon standardet e Bashkimit Evropian. Për të anashkaluar këtë pengesë, importuesi e maskonte si pleh kimik, duke e përdorur më pas si pesticid për spërkatje. AKU ndaloi importimin e silikon mix, por Niko Peleshi firmosi një urdhër si ministër duke i hapur rrugë futjes në Shqipëri. Peleshi nuk ka dhënë kurrë sqarime për këtë urdhër të tij, për t’a mbrojtur apo mohuar.
Prokuroria e Tiranës hapi një hetim. Të paktën katër prokurorë e kanë kaluar në dorë dosjen, por asnjëri prej tyre nuk e thirri Niko Peleshin. Pas vitit 2019, Prokuroria e Tiranës duhet t’a kishte referuar dosjen për kompetencë në SPAK. Por, ky detyrim ligjor duket se është bllokuar nga Peleshi, përmes ndërhyrjeve të tij. Sot dosja e skandalit të silikon mix, e mbyllur, e hapur apo e pezulluar, është një sfidë për SPAK-un.
Dosja e dytë e Niko Peleshit është po aq flagrante sa e para dhe lidhet me një tender fiktiv gjoja për fikjen e zjarrjeve kur Peleshi ishte ministër i Mbrojtjes.
Në 4 prill të vitit 2020, Kujtim Lami ka themeluar kompaninë ‘Vivahelicopters’, me nipt (M01624004A) me objekt shërbime me mjete ajrore për fluturime turistike, mjekësore, operacione ajrore për shuarjen e zjarrit, fluturime luksi VIP etj. Kapitali i kompanisë është 200 mijë lekë.
Pra kemi të bëjmë me një kompani fantazmë, thjeshtë në letra, sigurisht pa mjete fluturuese, pasi me 200 mijë lekë mund të ngresh vetëm një balonë letre.
Me 16 gusht të vitit 2021, drejtori i AKMC, Haki Çako dhe pronari i kompanisë fantazmë ‘Vivahelicopters’, Kujtim Lami, lidhin një kontratë me vlerë rreth 4 milionë euro, sipas të cilës kompania e Lamit do të fikte zjarret me
helikopter, në zonat e prekura të Gadishullit të Karaburunit, Bashkia Vlorë.
Po nga do ta gjente helikopterin Kujtim Lami për të fikur zjarret, me kompaninë e tij në letra, me kapital 200 mijë lekë?
A e ngriti ndonjëherë helikopterin imagjinar Kujtim Lami për të zbatuar kontratën e lidhur me Haki Çakon, për shuarjen e zjarreve?
Paratë kanë kaluar në llogari të kompanisë ‘Vivahelicopters’, pa kryer asnjë shërbim. Afera është faktuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Afera flagrante nuk është edhe kaq e thjeshtë sa duket. Fillimisht ka pasur një urdhër të Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi për rritjen e kapaciteteve për shuarjen e zjarreve nga ajri.
Urdhri ngarkonte AKMC, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Drejtorinë e Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar për të marrë masat për caktimin e fondit. Më pas është ngritur një grup pune për përzgjedhjen e kompanisë dhe negocimin e kushteve të marrëveshjes.
Janë përcaktuar disa kritere që duhet të plotësojë kompania, si të ketë kryer punë të ngjashme, të disponojë helikopter të pajisur me mjetet e nevojshme për fikjen e zjarrit nga ajri, të ketë autorizim për të kryer shërbime fluturimi në raste të emergjencave civile, të ketë leje fluturimi, të bëjë njê vetdeklarim që mjetet fluturuese janë në gjendje të mirë teknike dhe operatori zotëron të gjitha kapacitet ligjore dhe teknike për ushtrimin e aktivitetit.
A i ka paraqitur këto dokumente kompania Vivahelicopters?
A janë verifikuar dokumentet nga grupi i punës?
Kush e ka ndjekur zbatimin e kontratës?
Pse nuk është denoncuar në prokurori Kujtim Lami për mashtrim dhe vjedhje?
Në skenë Peleshi
Pjesë e aferës është bërë ish ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, përmes këshilltarit të tij të besuar, i cili ka grisur dy fletë nga kontrata e firmosur, me qëllim mbulimin e provave të vjedhjes.
Këshilltari i Peleshit është angazhuar me urgjencë në manipulimin e kontratës, me qëllim mbulimin e moszbatimit të saj, fakt që vesh me përgjegjësi penale një grup zyrtarësh.
Këshilltari njihet si njeriu më i besuar i Peleshit për punë të pista në disa ministri. Edhe pse në hije, këshilltari ka përvojë në qarkullimin dhe vjedhjen e donacioneve të huaja, projekteve dhe sidomos parave publike si sekser i ministrave dhe ‘markues’ i drejtorëve.
Ka një kontratë. Janë dhënë 4 milionë euro. Shërbimi nuk është kryer, kjo e konfirmuar nga KLSH. Ku kanë përfunduar paratë?