Në tetor të vitit 2024, GJKKO dënoi të pandehurin e SPAK-ut, Dedan Ndue Gjoni, me 7 vite burg (4.8 vite me gjykim të shkurtuar), për kryerjen e veprës penale të sigurimit të kushteve për të vrarë Xhevdet Plakun, i njohur me emrin “Akili”, për llogari të Rexhep Arapit i njohur si Kel Arapi. Dedan Gjoni, ish-shef i krimeve të Komisariatit nr.6 në Tiranë, u dënua edhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Bazuar në komunikimet e përftuara nga zbërthimi i komunikimeve në SkyEcc, Dedan Gjoni, përdorte funksionet si drejtues policie në Tiranë, Elbasan dhe Shijak, për të nxjerrë në pritë personazhe të skeduar, për llogari të grupeve kriminale, por edhe punë të tjera të grupeve kriminale.

Dedan Gjoni është nipi i ish gjyqtarit Gjin Gjoni, i njohur si ‘sheiku’ i drejtësisë, i kallëzuar nga ILDKPKI për fshehjen e mbi 2 milionë eurove pasuri dhe që ia mbathi nga drejtësia me dorëheqje në korrik të vitit 2020 (pasi i kishte mbaruar leja prindërore) duke evituar përballjen me Vetingun, ku do t’i dilnin pasuritë e pajustifikuara dhe ndoshta elemente të disa veprave penale. Gjin Gjoni nuk mban përgjegjësi për nipin. Por, faktet tregojnë se Gjin Gjoni, përmes bashkëshortes së tij Elona Çaushi, është ortak në biznes fidanësh dhe farërash me nipin e tij Dedan Gjonin. Kjo ortakëri ngre dyshime të forta për mundësinë e miksimit të parave të korrupsionit dhe krimit, duke i injektuar në biznese.

Kompania Agro-Gjoni është themeluar në vitin 2018, me vendndodhje në Fishtë të Lezhës nga familjarë të Gjin Gjonit, ku ky i fundit është aksioner përmes bashkëshortes Elona Çaushi, të cilën e ndihmoi me vendime të diskutueshme gjyqësore për t’i rrëmbyer biznesin e Duty Free në Rinas, bashkëshortit të saj të parë gjerman Werner Mehlber si dhe për të mbajtur larg Rinasit amerikanët e kompanisë ICDF. (Skandali u reflektua në raportin e DASH për Shqipërinë, ndërsa Angela Merkel, kur ishte Kancelare e Gjermanisë, i shprehu shqetësimin Edi Ramës për bëmat e Gjin Gjonit në drejtësi).

Gjin Gjoni nuk është dënuar për ndonjë vepër penale, por një sagë faktesh, rrethanash dhe indiciesh të tjera, e vizatojnë atë si një nga njerëzit më të pasur dhe të dyshuar si të korrptuar të drejtësisë që u shemb nga Vetingu.
Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me SHISH dhe Drejtorinë për Parandalimin e Pastrimit të Parave, në 17 janar të vitit 2019, ka prodhuar një raport për figurën e Gjin Gjonit, për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të Vetingut.

Në raport thuhet se Gjin Gjoni, gjatë ushtrimit të detyrës së gjyqtarit, ka pasur lidhje me njerëz të krimit të organizuar si dhe është përfshirë në afera korruptive, duke favorizuar njerëz të krimit në procese gjyqësore, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

“…Mbi bazën e të dhënave të vitit 2006 dhe 2012…për subjektin e rivlerësimit Gjin Gjoni ngrihen dyshime të arsyeshme se gjatë një procesi gjyqësor ka ndihmuar/favorizuar, kundrejt përfitimit të paligjshëm, një shtetas…, të përfshirë në krim të organizuar. Gjithashtu, në vitin 2006 dhe 2011 disponohen të dhëna ku thuhet se Gjin Gjoni ka pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krime të organizuar….si dhe ka ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj peronave që ushtrojnë funksione publike”, thuhet në raport.
Fshehja e vilës në Farkë, fakte për SPAK-un
Në vitit 2014, Gjin Gjoni u kallëzua penalisht nga ILDKPI për deklarim të rremë, falsifikim të dokumenteve, pastrim të produkteve të veprës penale etj. Sipas ILDKPI, Gjin Gjoni, deri në vitin 2014, kishte fshehur mbi 2 milionë euro pasuri. ILDKP pretendonte se Gjin Gjoni, përpos pasurive të tjera, kishte blerë edhe një vilë me vlerë 700 mijë euro në Farkë, në vitin 2012, me burim të dyshimtë.
Në maj të 2014, dosja e bujshme i kaloi Prokurorisë së Elbasanit, e cila regjistroi procedimin penal me nr: 1098 për dy vepra penale: “falsifikim të dokumenteve” dhe “fshehje të pasurisë”.
Gjin Gjoni e bllokoi prokurorinë me disa lëvizje procedurale dhe arriti ta mbyllte çështjen me lehtësi.
Megjithatë, në kuadër procedimit penal, Prokuroria e Elbasanit pyeti Gjin Gjonin dhe Elona Çaushin rreth pretendimeve të ILDKP për pasurinë e tyre.
Sipas dosjes, Gjin Gjoni deklaroi para prokurorit se, së bashku me bashkëshorten kanë realizuar kontratën për blerjen e vilës në Farkë, por më pas e ka anuluar kontratën, pasi nuk ka pasur para për të paguar këstet dhe se nuk i ka pëlqyer çmimi.
Pra, Gjin Gjoni, tha se nuk kishte vilë.
Gjin Gjoni ka pohuar në prokurori ndër të tjera se “Për sa i përket pikës 7 të kallëzimit penal që ILDKPKI pretendon se është deklarim i rremë nuk qëndron, pasi nga ana ime dhe bashkëshortes sime rezulton se është deklaruar kontrata e sipërmarrjes dhe e porosisë me nr. 1416 Rep dhe nr. 167 datë 24.04.2012 sipas deklarimeve të realizuara në deklaratën e pasurisë së vitit 2013… Kontrata me vlerë 700 000 euro është zgjidhur duke u anuluar me kontratën e dytë të lidhur pas saj. Zgjidhja e kontratës është bërë për shkak të mospëlqimit të çmimit”.
Gjin Gjoni e dha dorëheqjen në përfundim të lejes dyvjeçare prindërore që mori nga ish-KLD-ja në vitin 2018, ku ishte anëtar edhe vetë, ndërsa Ilir Meta ishte kryetar.
Në tetor të vitit 2020, Gjin Gjoni regjistroi në QKR studion e avokatisë “G&G LAW FIRM”. Në dokumentet e regjistrimit, ish-gjyqtari deklaron edhe adresën e banimit, që është pikërisht; ‘Rolling Hills’, Vila nr. 69, Farkë, Tiranë.

Ka dyshime të forta se Gjin Gjoni e ka anuluar fiktivisht kontratën për blerjen e vilës, duke e kaluar formalisht në emër të dikujt tjetër, për t’i shpëtuar veprimit të drejtësisë, pasi nuk e justifikon me burime të ligjshme.

Vila në Farkë besohet se është një nga pasuritë e fshehura të sheikut të drejtësisë. Sipas një denoncimi, Gjin Gjoni qëndron edhe pas resortit Flumen Park në Ibë, një investim disa milionë euro.
Misteri i diplomës, studioi për veteriner, doli doktor në drejtësi
Ka shumë dëshmitarë, ish studentë, të cilët e mbajnë mend Gjin Gjonin student për veterinari në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Por, nuk ka asnjë ish student juridiku, sot gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që rrëfejë se Gjin Gjoni ka studiuar për juridik.
Megjithatë, Gjin Gjoni mban gradën doktor, mbrojtur në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë, Departamenti i të Drejtës Civile, me udhëheqëse shkencore Endirë Bushatin.

Mbrotja e gradës doktor nënkupton se Gjin Gjoni duhet t’a ketë kryer arsimin e lartë për juridik. Në CV-në zyrtare të Gjin Gjonit, administruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, thuhet se Gjin Gjoni ka kryer një kurs të përshpejtuar universitar, Universiteti i Tiranës. Në fakt ka kryer kursin e ‘Plepave’. Kurse të përshpejtuar mund të bëhen për berber, murator, manikyr, kuzhinier etj. Kurs i përshpejtuar nuk eksziston në arsimin e lartë. Diploma për arsimin e lartë juridik përfshin 4 vite akademike (8 semestra).

Dyshimet që Gjin Gjoni nuk ka një diplomë të rregullt dhe të vlefshme të arsimit të lartë thellohen më tej nga disa fakte dhe rrethana të tjera. Në maj të vitit 2013, Gjin Gjoni u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku u detyrua të publikonte CV-në. Në CV shkruante se kishe kryer Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, gjatë vitit 1993-1994, kur dihet se kohëzgjatja e studimeve të larta është 4 vjet.
Në një kohë kur në vitin 1994 Gjin Gjoni pretendon se ka kryer studimet e larta, në vitin 1993 ka filluar punë si ndihmës i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Duket gati e pabesueshme se si një sudent ishte njëherësh edhe ndihmës gjyqtar! Ky personazh kandidon për deputet në Lezhë për PD-në dhe flet se si do t’a reformojë drejtësinë kur të vijë në pushtet.