“Dua të të takoj”, zbardhen mesazhet e filipinasit; ditën që vrau Ilarian nisi flirtimin me një tjetër vajzë

Aktualitet

Publikuar: 10/04/2025

“Dua të të takoj”, zbardhen mesazhet e filipinasit; ditën që vrau Ilarian nisi flirtimin me një tjetër vajzë

Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen makabre të 23-vjeçares shqiptare Ilaria Sula nga ish i dashur i saj, Mark Antony Samson.

Mediat italiane kanë publikuar detaje, ku 23-vjeçari me origjinë filipinase, pasi vrau studenten shqiptare, u duk se kërkoi të niste një jetë të re dhe nisi me vajza të tjera.

Njëra prej tyre, ka rrëfyer në “Rai 3” se Samson i dërgonte mesazhe para dhe pas vrasjes së Ilarias.

Filipinasi i kishte thënë vajzës se kërkonte të njihte njerëz të rinj, pasi po kalonte një periudhë të vështirë pas ndarjes me studenten shqiptare. Ajo shprehet se Mark i ka kërkuar të shkojë në shtëpinë e saj dhe të konsumonin alkool.

“Ai më pyeti nëse qëndroja me dikë në shtëpi dhe më 25 mars (një ditë përpara vrasjes së Ilarias) po kërkonte me ngulm që të më takonte. Një mbrëmje, ai kërkoi që të vinte në shtëpinë time dhe të sillte alkool. Por unë refuzova duke thënë se i dashuri im ndodhej në shtëpi, vetëm e vetëm që ai mos të vinte”, u shpreh e reja.

Në datën 27 mars, kur të gjithë kërkonin Ilarian, Marku vazhdoi t’i shkruante studentes, ndërkohë që përdorte telefonin e viktimës për t’u dërguar mesazhe të afërmve dhe miqve të shqiptares. Më pas, e reja ka marrë një mesazh nga një mikeshë e cila i ka treguar se Marku ishte ish-i dashuri i Ilaria Sulës.

“Gjëja e parë që më erdhi në mendje ishte: Kjo mund të më kishte ndodhur mua”, tha ajo, duke kujtuar momentin kur kuptoi të vërtetën.

Ajo u shpreh se Marku i kishte dërguar foto, madje edhe një të bërë në zonën Furio Camillo, ku jetonte vajza.  Qëndrimi gjithnjë e më këmbëngulës i tij, shtoi dyshimet tek vajza, e cila tregon se ai i kërkontë që të flisnin, madje i dërgonte edhe fotografi.

Edhe pse ajo nuk u përgjigj, 23-vjeçari vazhdoi t’i dërgonte mesazhe dhe t’i telefononte, duke shfaqur shenja këmbënguljeje të vazhdueshme. Edhe pas vrasjes së Ilarias, Mark vazhdonte t’i kërkonte vajzës një takim.