Dhurata Çupi, deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidate për deputete nga koalicioni opozitar Aleanca për Shqipërinë Madhështore, thotë se nuk është penduar aspak që ka mbështetur Lulzim Bashën, që tashmë është kundërshtar i saj në politikë.
E ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut, ajo tha se Bashën e ka mbështetur dhe vetë Sali Berisha, ndaj s’ka pse pendohet.
“Nuk jam penduar për asnjë veprim që kam bërë në politikë. Gjatë gjithë sjelljes sime që prej vitit 2009 në politikë, nuk jam penduar për sjelljet e mia.
PD është opozitë sot por ka qenë qeverisje dje, ndaj mendoj se PD është një thesar për Shqipërinë. Ndaj mendoj se në 12 maj PD merr qeverisjen dhe merr mazhorancën me votën e shqiptarëve.
Unë kam mbrojtur dhe do të vazhdoj të mbroj interesat e PD. Nëse dal nga politika do të dal vetëm nga kjo parti.
Basha ka qenë kryetar i PD, e kemi mbështetur të gjithë, madje edhe vetë Berisha, ndaj nuk jam penduar për asnjë sjellje time politike”, tha ajo.