Autoritetet policore kanë arrestuar ish-efektivin e RENEA-s, Altin Morina.
Burime bëjnë me dije se ai është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme, teksa ishte shpallur në kërkim nga SPAK që prej 17 Majit të vitit 2024, ku u lëshuan 50 urdhër-arreste në kuadër të operacionit “Revanshi”, pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin e enkriptuar “Sky Ecc”

Altin Morina do të përballet me akuza për kultivim kanabisi dhe pjesmarrje në organizatë kriminale. Çështja kundër tij tregon se ai vepronte si agjent për Durim Bamin, një figurë e krimit të organizuar nën akuzë për vrasje, duke u ofruar që të zgjidhte problemet e Bamit dhe shokëve të tij me Policinë, të tilla si pagesat e rryshfeteve për oficerët e tjerë të policisë. Morina ishte gjithashtu një investitor në parcelat e kanabisit në Fushë-Krujë.
Kujtojmë se Morina u arrestua në mars të vitit 2023, pasi në makinën me të cilën po lëvizte iu gjetën 113 mijë euro.
43-vjeçari, në atë kohë me detyrë Shef i Repartit të Stërvitjes tek Forcat RENEA, u prangos në zonën e Kodrës së Diellit, teksa lëvizte me një automjet luksoz. Shuma e konsiderueshme u gjet poshtë sediljes së parë e mbështjellë me një qese plastmasi.
Por një muaj më vonë, ai u lirua nga qelia pasi deklaroi se shumën e parave e kishte marrë hua te një biznesmen për një problem personal dhe se ato nuk ishin të krijuara nga aktiviteti kriminal.
“Nuk ka prova, këto para i kam marrë nga një biznesmen 30 minuta para arrestimit. Nuk vijnë nga produkt kriminal, jam gati të bashkëpunoj me organin e akuzës për t’i dhënë prova që kanë të bëjnë me arsye personale dhe familjare. Nuk ka patur person tjetër në shoqërinë time në momentin e arrestimit. Po shkoja në shtëpi, te Komuna e Parisit, dhe isha drejtuar në “Ish-Bllok” ku banoj”, tregoi në atë kohë ish-efektivi.
Altin Morina, dyshohet se ka lidhje me gurpin e Ervis Martinajt. Pak ditë para se të arrestohej në mars të vitit 2023, ai u pa në praninë e një të afërmi të Martinajt ku e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.