Më në fund, gazetarja Ola Xama allias Basjola Pandeli ka konfirmuar vërtetësinë e raportimeve me fakte dhe prova të Prapaskenës se ka përfituar para publike nga degët e qeverisë, rindërtimi dhe Bashkia e Tiranës, përmes bashkëshortit Ilir Pandeli, si aksioner në disa kompani.

Zonja Xama thotë se kompania e bashkëshortit të saj Vier Creative (e pezulluar në 2023) ka marrë pagesa nga entet publike (degë të qeverisë), por shton se kompania më shumë ka dalë me humbje se sa me fitim. Me humbje ka dalë 12 vite edhe Bankers Petroleum. Ndihemi keq që nuk keni fituar, por bilancet dhe fati i kompanisë nuk e zbehin faktin e përfitimit të parave publike.


Në vijim gazetarja Xama thotë një gjysmë të vërtetë, për të fshehur një fakt; Përfitimin e parave publike nga rindërtimi dhe Bashkia e Tiranës, me ndërhyrjen e Arben Ahmetajt.
“Kompania Krioform (34% të aksioneve kanë qënë në pronësi të bashkëshortit tim), që akuzohet se ka lidhur një kontratë me firmën Furst Kolos është themeluar më 10 tetor 2022, Arben Ahmetaj është shkarkuar më 24 korrik 2022 dhe në shtator 2022 është shkarkuar nga posti politik në PS si drejtues qarku në Vlorë“.
Çfarë tregojnë faktet?
Firma Krioform është themeluar vërtetë me 10 tetor 2022 nga bashkëshorti i zonjës Xama, Ilir Pandeli, Rezarta dhe Admir Asllani, me kapital 100 mijë lekë, me objekt tregetimi dhe punimi i mobiljeve, punime duralumini etj.

Nga janari 2023, kompani të ndryshme kanë kaluar në llogari të kompanisë Krioform dhjetëra mijëra euro, për shërbime ende të paidentifikuara. Duhet theksuar se Ilir Pandeli figuron aksioner në kompaninë Krioform deri në 20 nëntor 2023.

Gjatë kohës kur Ilir Pandeli ka qenë aksioner i Krioform, kjo kompani ka lëshuar fatura shërbimi për kompaninë Furst Kolos, pra gjatë periudhës janar nëntor 2023. Mes të tjerave, në 10 mars 2023, Krioform, me aksioner bashkëshortin e Ola Xamës, ka lëshuar një faturë me vlerë 3 420 000 lekë ose rreth 34 mijë euro për kompaninë Furst Koloss. (Nuk po i publikojmë faturat e plota për shkak se zonja Xama është ankuar në Tatime për zbulimin e transaksioneve).


Kompania Furst Kolos, e cila ka kaluar para në kompaninë Krioform me aksioner bashkëshortin e Ola Xamës, në 18 maj 2021 është shpallur fituese e tenderit me vlerë rreth 5 milionë euro, me objekt ‘Rikonstruksioni i godinave Nr.20-21; Nr. 22-23, në RSU Nr.1′, në kuadër të programit të rindërtimit.

Tenderi i rindërtimit është zhvilluar nga Bashkia e Tiranës. Pasi ka marrë tenderin, Furst Kolos ka kontraktuar kompaninë e bashkëshortit të Ola Xamës për dyer dhe dritare. E vërteta është se kontraktimi i kompanisë Krioform nga kompania fituese e tenderit Furst Kolos është vendosur si kusht nga Arben Ahmetaj, duke blerë kështu gazetaren Ola Xama.
Çfarë rëndësie ka dhe çfarë nuk provon fakti se Furst Kolos është themeluar para Krioform, apo se Ahmetaj është larguar nga qeveria para se të themelohej Krioform?! Kur Frust Kolos ka fituar tenderin e rindërtimit, në krye të rindërtimit ka qenë Arben Ahmetaj, edhe formalisht tenderi është organizuar nga Bashkia e Tiranës.
Koha kur Ola Xama nisi të sulmonte Erion Veliajn përmes Birn përkon me goditjen e Arben Ahmetajt nga SPAK. Ahmetaj ka dyshuar se edhe Veliaj kishte gisht në goditjen e tij deri kur SPAK goditi edhe vetë Veliajn. Dhe përdorimi i Birn për të sulmuar Veliajn tregon se bashkëshorti i gazetares ka marrë para si nënkontraktor nga rindërtimi pikërisht me influencën e Ahmetajt dhe jo nga Veliaj.
Ndërkaq, kompania Furst Koloss (J63229454K), ka 30 % të aksioneve në kompaninë Integrated Technology Waste Treatment Fier, që ka ndërtuar inceneratorin e Fierit.

Sipas dosjes së SPAK, diktuesi dhe koka e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit është pikërisht Arben Ahmetaj.
Ola Xama, sipas Partisë Demokratike, ka marrë para publike edhe përmes kompanisë Kuadr.com, me aksioner bashkëshortin e saj Ilir Pandeli. Ola Xama thotë se më 9 shkurt 2019 bashkëshorti i saj është larguar si aksioner nga kompania KUADR.com. Kjo është e vërtetë. Por, në gusht të vitit 2023, PD ka deklaruar; “Nga Janar 2019 deri Mars 2019, çuditërisht ose aspak çuditërisht, KUADR.COM ka përfituar 20 pagesa nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare. Këto pagesa lidhen me likujdimet për samite të Diasporës, në vlerën totale të 97 milionë lekëve“.
Këto janë faktet. Me forcën e tyre përballemi në çdo gjykatë. Dhe një ditë gjykata do flasë pavarësisht padurimit tënd të justifikuar. Heroizëm do të ishte të hiqje dorë nga gënjeshtrat dhe të rrëfejë në SPAK se si u pasurove me para publike përmes tre kompanive.
Reagimi i plotë i gazetares Ola Xama
Bashkëshorti im- si interes publik..!
Kam 1 vit që pres dyerve të gjykatës për të marrë një të drejtë që pretendoj se më takon: heqjen e baltës që më është hedhur mua, por më shumë të atij që kam në krah e që nuk ka asnjë faj se përse unë jam gazetare dhe shkruaj ato që shkruaj.
Patjetër e pranoj që nëse ushtron një profesion që ka në qëllim interesin publik, do të heqësh dorë nga disa të drejta siç është privatësia – për të marrë dhe privilegje (ndikimi në opinionin publik, mendimi që dëgjohet etj). Ndaj këtu nuk kam asnjë problem nëse bashkëshorti im përmendet, por të dëgjosh për 2 vjet rresht, pothuajse çdo ditë, lajme, komente, sulme dhe shpifje për dikë pa të drejtë, është shumë!
Këtë sqarim kisha menduar ta bëja pasi padia ime për këto lajme të shqyrtohej nga gjykata, por m.q.s. ka kaluar më shumë se 1 vit dhe nuk është zhvilluar asnjë seancë, kush ka interes dhe durim të dijë se si qëndron e vërteta e gjen shpjegimin më poshtë:
Bilancet dhe të dhënat e kompanive janë publike, të depozituara në QKB për këdo që ka interes të verifikojë faktet.
Pasi ndodhën sulmet personale ndaj meje dhe tij, vendosi të mbyllë të gjithë aktivitetet këtu. Sot të ardhurat e tij janë nga puna jashtë Shqipërisë dhe për të deklaruar të ardhurat që andej ka vetëm një nipt si “Person Fizik”, që t’i paguajë taksat shtetit tonë të dashur. Nuk kemi bërë asnjë heroizëm, por kemi vendosur të jetojmë jetën tonë si njerëz të lirë dhe me mendime të lira.
P.S. Shkrimi nuk lejohet të ripublikohet.