Strategjia e hartuar për krimet zgjedhore nga SPAK ka marrë mbështetjen nga ambasadorët e selive diplomatike në vendin tonë.
Ka qenë vetë Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, e cila në një postim në platformën ‘X’ bën me dije se kanë pritur në takim bashkë me ambasadorët e tjerë, kreun e SPAK, Altin Dumanin, prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi.
“Ambasada Britanike ftoi Kryeprokurorin e Posaçëm, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve për të informuar ambasadorët mbi strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore, e publikuar në vitin 2025.
Sesioni i informimit trajtoi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve në hetimin e shkeljeve zgjedhore, duke marrë parasysh mjedisin aktual të operimit, si dhe strategjinë për të minimizuar rreziqet e mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Marrëveshja e re mes Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm për të siguruar qartësi në rolin dhe përgjegjësitë e secilit institucion.
Ambasada Britanike mbështet angazhimin e Shqipërisë për të garantuar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të ndershme dhe të sigurta”, njofton ambasada e Britanisë.