Arta Mandro është pedagoge e brendshme në Shkollën e Magjistraturës, aty ku formohen prokurorët dhe gjyqtarët e rinj. Është përgjegjëse për lëndën e të drejtës familjare.


Zonja Mandro është njëherësh anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që njihet ndryshe si qeveria e prokurorëve, organ që emëron dhe shkarkon prokurorët, kontrollon, rrit në detyrë, i ndëshkon për shkelje etj.

Arta Mandro ka qenë edhe pjesë e grupit të eskpertëve të nivelit të lartë për paketën e projektligjeve në kuadër të reformës në drejtësi, duke kontribuar në hartimin e ligjeve.

Bashkëshorti zonjës Arta Mandro është Ilirjan Mandro, i cili mban postin e Rektorit të Akademisë së Sigurisë. Ilirjan Madro është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës, aty ku bashkëshortja është pedagoge e brendshme.



Nën drejtimin e Ilirjan Mandros, Akademia e Sigurisë është përfshirë në abuzime të rënda financiare, të cilat duhet të jenë objekt i SPAK-ut. Në një raport të muajit dhjetor 2024, KLSH i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha shkarkimin e Ilirjan Mandros nga detyra.



Artili Mandro është djali i Ilirjan dhe Arta Mandro. Artili Mandro është student në vitin e dytë në Shkollën e Magjistraturës, profili gjyqtar, aty ku i japin mësim mamaja dhe babai i tij. I riu paguhet me rreth 800 euro në muaj si kandidat për t’u bërë gjyqtar.


Pra, një familje me katër anëtarë, tre janë pjesë e Shkollës së Magjistraturës, duke e kthyer këtë institucion në një dyqan familjar. Kjo situatë degraduese nuk duhej të lejohej nga drejtori i Shkollës së Magjistraturës Arben Rakipi dhe ILDKPKI, përgjegjëse për rastet e konfliktit të interesit.
Artili Mandro kapet duke kopjuar
Emisioni investigativ Fiks Fare publikoi dy ditë më parë një video, ku kandidati për t’u bërë gjyqtar i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë, Artili Mandro, i pranuar në Shkollën e Magjistraturës në konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjin, shfaqet duke kopjuar në provimin e datës 30 qershor 2024.

Sipas pamjeve, në orën 10 e 43 minuta, Artili Mandro ka printuar tezën e punuar prej tij. Ai e fut në zarf dhe largohet nga salla. Kthehet përsëri në sallë. Ulet në vendin e tij dhe fillon të shkruajë. Në orën 11 e 5 minuta i jep zarfin me tezën, tashmë të printuar, një monitoruese në sallë. Monitoruesja e gris dhe ai e printon përsëri, duke e futur në një zarf të ri!
Pranimi korruptiv, dora e Arta Mandros
Në vitin 2021, mbërritën ankesa në emisionin investigativ Fiks Fare se po përgatitej terreni që Artili Mandro të shpallej fitues pa u bërë provimi! Kjo në kundërshtim me ligjin, pasi nëna e tij Arta Mandro është pedagoge e brendshme e Shkollës së Magjistraturës. Në atë kohë, Magjistratura i ktheu përgjigje Fiksit se kandidati ishte përjashtuar nga lista përfundimtare e kandidatëve për magjistratë në vitin 2021-2022, pasi kishte nënën pedagoge të brendshme.

“Përsa i përket thelbit të interesimit tuaj rreth aplikantit A. M, ju bëjmë me dije se zotëria në fjalë ka aplikuar të konkurrojë për të fituar një vend në vendet e hapura nga Këshilli Gjyqësor për detyrën e gjyqtarit. Komisioni i vlerësimit të kandidaturave të Shkollës së Magjistraturës e ka skualifikuar ngaqë është konsideruar person i lidhur me një pedagog të brendshëm, e për rrjedhojë, nuk mund të marrë pjesë në provimin e pranimit”.
Vetë Shkolla thotë se rregullorja nuk lejon konkurrimin për të fituar një vend në vakancat për gjyqtarë, prokurorë, këshilltarë apo ndihmës ligjor të një kandidati kur ai ka lidhje të afërt familjare me një person të personelit administrativ të brendshëm të saj, si dhe vetë personelit administrativ të Shkollës, kur ata punojnë në Shkollë apo janë shkëputur prej saj për një periudhë deri në një vit nga koha e ndërprerjes së marrëdhënies së punës së tyre.
Po çfarë ndodh? Në vitin 2025, Artili Mandro rezulton se është student në vitin e dytë në Shkollën e Magjistraturës. Mandro është pranuar në Shkollën e Magjistraturës një vit më vonë për t’u bërë gjyqtar.

Çfarë ndodhi që në vitin 2021 nuk e lejonte ligjit, ndërsa në vitin 2022 e ka lejuar? Përgjigja i takon Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Anëtarët e Këshillit Drejtues janë Sokol Sadushi, kryetar, Olsian Çela zv/kryetar, si dhe anëtarë Arben Rakipi , Ilir Rusi, Mirela Bogdani, Vangjel Kosta, Ulsi Manja, Klajd Karameta, Odise Moçka, Genti Dokollari, Albert Kulici, Maksim Haxhia, Sokol Berberi, Artan Hajdari Aida Bushati , Rej Beqiraj, Gjergj Mati dhe Jonida Çollaku.

Gjithë këto personalitete të drejtësisë i kanë bërë një qokë Arta Mandros, duke i pranuar të birin në shkollë, për t’u bërë gjyqtar. Si për ironi, në vitin 2023, disa muaj pasi futi të birin në Shkollën e Magjistraturës për t’a bërë gjyqtar, ku ishte vetë pedagoge e brendshme, Arta Mandro është nderuar nga Presidenti Bajram Begaj me titullin ‘Mjeshtër i Madh’.
