Avioni rrëzohet mbi një shtëpi në Minesota, humbin jetën anëtarët e bordit

Botë

Publikuar: 30/03/2025

Avioni rrëzohet mbi një shtëpi në Minesota, humbin jetën anëtarët e bordit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Minesota, ku një avion është rrëzuar në një shtëpi.

Të gjithë anëtarët e bordit humbën jetën, por numri i tyre ende nuk është konfirmuar.

Sipas mediave të huaja, rrëzimi ndodhi të shtunën rreth orës 12:20 pasdite, pranë Minneapolisit. Pamjet e momentit të përplasjes u publikuan në rrjetet sociale, duke treguar se shtëpia u përfshi nga flakët brenda pak minutash.

Fatmirësisht, në banesë nuk ndodhej askush në momentin e përplasjes, ndërsa banorët e zonës u evakuuan për siguri.

Avioni ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar Des Moines në Iowa dhe kishte si destinacion Aeroportin Anoka County-Blaine në Minneapolis, sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA).

Sakaq, autoritetet po hetojnë shkaqet e rrëzimit.