Në tregun shqiptar është hedhur mish pule i kontaminuar me salmonelë në një sasi të konsiderueshme nga kompania Dimal, ndërsa konsumatori u njoftua publikisht nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, 1 javë pasi kishte marrë në dorë analizat me prani salmonele, dhe filetot e rrezikshmë për shëndetin ishin shpërndarë për konsum nëpër markete.
AKU njoftoi se referoi për hetim në Prokurorinë e Tiranës një kompani, por duke i mbajtur të fshehtë emrin, që importoi nga Brazili mish të kontaminuar me salmonelë, bakter i rrezikshëm për shëndetin e konsumatorëve
AKU fsheh në njoftim edhe se sa ishte sasia e importuar dhe nëse ishte hedhur apo jo në treg. Në këtë panoramë aspak transparente, Report TV mësoi përmes burimeve konfidenciale se kompania që importoi mish pule me salmonelë është ‘AMG Food’, produktet e së cilës në treg gjenden me emrin ‘diMal’. Sasia totale që mbërriti nga Brazili në Durrës më 11 mars, mësohet po nga këto burime se është 18.250 kilogramë fileto pule e ngrirë, pra rreth 18.3 tonë, por kryetari i urdhrit Veteriner Ervin Resuli, denoncon për 27 tonë. Burime konfidenciale, thonë se pjesa më e madhe e saj, 13.1 tonë fileto pule me salmonelë doli në tregun shqiptar dhe vetëm 5.2 tonë u bllokuan. Edhe këtë të premte, burime nga Aku në Vlorë, thanë se inspektorët dolën në terren në qytetin bregdetar dhe tërhoqën një sasi fileto pule me salmonelë të Dimal që kishte dalë në treg për tu shitur.
Por si u zbulua mishi me salmonelë?
Burime nga AKU thonë se inspektorët bënë një kontroll rutinë në sasinë e filetove të importuara nga Brazili, morën një mostër nga mishi dhe e dërguan për analizë pranë laboratorit të ISUV më 12 mars. Njëkohësisht – burime nga AKU thonë se urdhëruan subjektin AMG që deri në daljen e përgjigjes së analizave, produktin ta mbyllë në dhomat frigoriferike në port dhe të mos e hedh në treg.
Burimet thonë se ISUV nxori përgjigjen pas 9 ditësh pasi i ishte dërguar mostra, më datë 21 mars, por kur AKU shkoi pranë kompanisë të bllokojë mishin në port, rezultoi se pjesa më e madhe ishte hedhur në treg. Nga ky moment, kur kuptoi se shqiptarët do blinin me para një produkt të rrezikshëm, AKU nuk bëri asnjë njoftim për qytetarët që të mos i konsumonin filetot e pulës të DIMAL, dhe as nuk bëri thirrje pranë bizneseve që të kthejnë pas mishin e kontaminuar.
1 javë pas doli përgjigja se ishin fileto të kontaminuara, AKU njoftoi vetëm se ka referuar në prokurori një subjekt për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë. Burime nga AKU thonë se kompania DIMAL ka falsifikuar faturat tatimore, duke regjistruar të dhëna të pasakta, pasi sasi të tjera importonte nga jashtë e të tjera deklaronte. /shqiptarja.com

