Departamenti Amerikan i Shtetit dhe departamenti i efikasitetit të qeverisjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në fazën përmbyllëse të identifikimit të projekteve për të cilat do të ndërpritet financimi dhe i atyre që do të vazhdojnë të financohen. Dhe me sa duket, mbështetja për reformën në drejtësi në Shqipëri do të vazhdojë.
Ekspertët amerikanë të OPDAT, që u larguan në fund të muajit janar pas urdhrit të Donald Trump për pezullimin e fondeve të ndihmës së huaj, janë rikthyer këtë të mërkurë në prokurorinë dhe gjykatën e posaçme. Burime jozyrtare të Top News konfirmojnë se të njëjtët ekspertë që ishin edhe para se të largoheshin kanë hyrë pak pas mesditës së të mërkurë në godinën e SPAK dhe janë akomoduar në të njëjtat ambiente ku ushtronin detyrën e tyre para se të largoheshin.
Rikthimi i tyre në SPAK paralajmëron edhe rikthimin e ekspertëve të tjerë amerikanë të misionit OPDAT, të stacionuar te policia e shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Ekspertët paguhen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes linjës së ndihmës së huaj për forcimin e institucioneve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, që pas rishikimit në Uashington nuk përfshihet te projektet që anulohen.
Në 25 shkurt të këtij viti, Edi Rama tha se Amerika nuk është më që të mbrojë SPAK-un dhe se ai mund t’a shkrijë SPAK-un kur të dojë, mjafton t’i fishkëllejë një herë Bufit të Kënetës, duke iu referuar Sali Berishës, i cili një ditë përbetohet se do t’a shkrijë SPAK-un, ndërsa ditën tjetër thotë se po keqinterpretohet.
“Tani Amerika nuk është më. Amerika i kishte njerëzit e vetë që asistonin SPAK, hynin e dilnin në mëngjes e pasdite tek stacioni i Trenit, nuk janë më. I ka tërhequr Amerika dhe për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë fjalë të ambasadës amerikane”, tha Rama.